E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakra në Qafë-Gjashtë, bllokohen 7 kaseta filmike

Pamjet e vrasjes dhe djegies me napalm të një oficeri policie në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë në Sarandë, janë sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, me qëllim zbardhjen e autorëve. Kasetat e transmetuara nga televizionet greke dhe evropiane ndodhen në duart e grupit hetimor, ku janë nxjerrë fotot përkatëse. Janë gjithsej shtatë kaseta me pamje nga masakra e Qafë-Gjashtës. Në sekuencat filmike duken qartë autorët e këtij krimi makabër. Grupi hetimor tha dje se në bazë të këtyre provave është arritur të identifikohen personat përgjegjës. Por një rol të rëndësishëm në evidentimin dhe kapjen e autorëve është realizuar nëpërmjet dëshmive, ku "protagonistët" kryesorë kanë treguar gjithçka para hetuesve të çështjes. Akuza tha se ka prova të pakundërshtueshme për fajësinë e pesë të arrestuarve për pengmarrjen dhe vrasjen e oficerit të policisë, Gjergj Mehmeti. Disa ditë pas ekzekutimit të Mehmetit, televizionet private greke dhe evropiane transmetonin revoltat në qytetin e Sarandës. Në qendër të tyre ishte pengmarrja e disa oficerëve të lartë të policisë shqiptare nga një bandë lokale, në kuadër të revoltës popullore në vitin 1997. Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se hetimi për këtë ngjarje ka filluar në vitin 2004 nga ky institucion, ku një i dyshuar u arrestua. Ai u lirua për mungesë provash. Por policia evidentoi disa indicie të rëndësishme për rifillimin e hetimeve. Një prej tyre ishin filmimet. Burimet thanë se në pamje duken qartë se të arrestuarit e fundit, në formë "mburrjeje" tregonin "prenë" e tyre para kamerave. Pa e ditur se gjithçka do të jetë provë kundër tyre, ata kanë arritur deri në djegien e pengut, ndërsa kanë tentuar të ekzekutojnë disa oficerë madhorë të policisë, të cilët u kanë shpëtuar për mrekulli keqbërësve. Gjithçka është e dokumentuar nga grupi hetimor, i cili tha dje se nga sekuencat ka nxjerrë fotot përkatëse, ku duken qartë se janë: Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Edmond Sejko, Eduart Çipa dhe Alqi Paguni. Disa nga protagonistët e ngjarjes të marsit ‘97 kanë treguar "bëmat" e tyre para grupit hetimor, ndërsa deklarimet e tyre hedhin dritë mbi mënyrat dhe arsyet e ekzekutimit të oficerit të policisë, Gjergj Mehmeti. Akuza tha se ka dëshmi të rëndësishme për zbardhjen e masakrës, ndërsa në pyetje janë marrë edhe të mbijetuarit. Njëri prej tyre, Sokol Bizhga, ka deklaruar misionin e Policisë në Sarandë, teksa ka vijuar se një grup personash i kanë sulmuar, ku njërin prej tyre e kanë marrë peng. Oficeri i karrierës, Bizhga, ka vijuar se nuk mund t‘i identifikonte personat që i kanë sulmuar, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ai ka deklaruar para hetuesve se nuk i njihte personat që i kanë sulmuar, pasi misioni i policisë ishte vendosja e rendit në qytetin jugor, pas disa trazirave të krijuara nga një grup personash, të cilët kishin grabitur bankën e qytetit.

Dëshmia e të arrestuarit, Vladimir Sinani, para hetuesve të çështjes

Si u vra oficeri i policisë, Gjergji Mehmeti

Vladimir Sinani, i akuzuari si organizatori i masakrimit të oficerit të policisë, Gjergj Mehmeti, në datën 4 mars 1997 ka treguar para hetuesve ngjarjen e rëndë. Sipas tij, ditën e vrasjes erdhën disa djem të rinj, që ishin rreth 10 veta dhe i thanë të largoheshin nga një pikë karburanti në Sarandë. Sinani qëndronte me të vëllain, Nestorin, dhe një djalë daje. Në atë kohë erdhi Armand Hysi, i cili tha se po vijnë për në Sarandë dy makina pa targa, që më qëlluan kur i parakalova. "Sa erdhën makinat filluan të qëllonin nga 70 metra, ku pasi i qëlluan u larguan. Njëri nga ata tha të mos qëllonin vëllezër se jemi vlonjatë. Makinave të tyre u hodhën edhe granata përveç breshërive të automatikut. Një person iku nga ‘Benzi‘, që më vonë e mora vesh se kishte qenë njëfarë Sokol Bizhga. Ndërsa, një tjetër doli nga makina dhe u përplas në asfalt. Shkova për ta ndihmuar dhe ai më tha nxirri kolegët nga makina se unë jam mirë. Por në makinë ishte vrarë ai tjetri, që morëm vesh më vonë se ishte Gjergji Mehmeti", tregon Sinani. Më pas pohon se ata që qëlluan ishin anëtarë të shtabit të Komitetit të Shpëtimit, nga Tepelena dhe Saranda. Disa djem të tjerë, pasi i qëlluan makinës, filluan ta kontrollonin, duke thënë se duhet kërkuar se kanë armë këta spiunë të Sali Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›