E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një linjë trageti mbi liqenin e Prespës

Një linjë trageti pritet të vihet në funksion të turizmit në zonën e Prespës. Liqeni që lag tri shtete, për të parën herë, këtë vit, do të afrojë turistët me një linjë udhëtimi mbi ujë. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Komunës së Liqenasit, Edmond Themelko. Sipas tij, është nënshkruar një marrëveshje trepalëshe për të nxitur zhvillimin e turizmit në zonën e Prespës së Madhe dhe sipas saj, këtë vit do të vihet në punë edhe një linjë turistike. Ai thekson se në kufi me shtetin maqedonas do të ngrihet një linjë e veçantë për të mundësuar lëvizjen e turistëve nga uji dhe kjo do të shtojë jo vetëm numrin e turistëve të huaj që preferojnë zonën e Liqenasit, por edhe të shqiptarëve, që do të kenë mundësinë që gjatë periudhës së verës të frekuentojnë zonat turistike matanë kufirit. Themelko deklaron se po bëhet gati projekti për linjën turistike mes tri komunave kufitare, ndërsa është caktuar një vend për ngritjen e molit në pjesën shqiptare, ku do të ankorohet trageti i linjës. Asistenca teknike për projektin do të ofrohet nga pala greke.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›