E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy fshatra në mëshirë të urave të kalbura

Rreth 700 banorë të fshatrave Plyk dhe Kraps të Komunës Portëz në Rrethin e Fierit janë të izoluar gjatë katër stinëve të vitit si shkak i mungesës së urave që lidhin banesat e tyre me fshatrat e tjerë dhe rrugët nacionale. Zona ku ata banojnë ndodhet përtej brigjeve të lumit Gjanica, me drejtim për nga qyteti i Fierit. Ndërsa komuniteti me mbi 150 shtëpi ka ndërtuar disa ura të thjeshta, por ato nuk janë të sigurta, sepse janë bërë me materiale jorezistente. Raste të shumta aksidentesh janë regjistruar në këtë zonë, fare pranë qytetit të Fierit për nga largësia gjeografike dhe shumë larg për nga komunikimi. Aksidenti i fundit u shënua një javë më parë, kur një banor i fshatit Kraps ra nga ura, duke pësuar plagë të rënda.

Fshatrat Plyk dhe Kraps janë vetëm 3 kilometra larg nga qyteti i Fierit. Banorët e dy fshatrave të sipërpërmendur tregojnë se janë ndërtuar pesë ura për të kapërcyer lumin Gjanica, ndërkohë konfirmojnë se ato janë ndërtuar me fondet e mbledhura nga vetë ata. "U mblodhëm të gjithë si fshat dhe ndërtuan në bazë të lagjeve urat tona. Shpenzuam afro 200 mijë lekë për një urë. Preventivi ishte më i madh, por ne përdorëm edhe materiale të vjetra, si copëra dërrasash dhe pjesë teli që kishim në banesat tona", tregon për gazetën "Shqip", Refit Hoxha.

Kalimi i këtyre urave pasarela bëhet më i vështirë për fëmijët e arsimit fillor e 9-vjeçar, të cilët nuk kanë asnjë pjesë ndihmëse se ku mund të mbahen gjatë përshkimit të gjatësisë prej 30 metrash që ka një urë. Sipas banorëve, ka pasur shumë raste kur këta vogëlushë kanë rënë nga lartësia e urës mbi ujin e lumit Gjanica.

"Për fëmijët e klasës së parë dhe kryesisht ata të shkollës fillore, kalimi është mjaft i vështirë. Telat që shërbejnë për t‘u mbajtur gjatë kalimit në urë janë shkëputur në shumë vende. Megjithëse ne i kemi lidhur, ata nuk mbajnë më. Është me të vërtetë gjendje e rëndë, veçanërisht në dimër, kur sasia e ujit në lumë rritet dhe dërrasat e bazës së urave dëmtohen nga shiu dhe ngricat", thotë Mano Çelo, banore e fshatit Kraps. Ndërtimi i urave me pasarela është bërë 17 vitet e fundit, ndërkohë që me fondet e komunës është rikonstruktuar vetëm një urë. Ajo, rikonstruksioni i së cilës ka kushtuar 12 milionë lekë, është në shërbim të vetëm 3 familjeve, që kanë lidhje fisnore me kreun e komunës. Pjesa tjetër e banorëve të zonës duhet të përballet me rrezikun e urave të kalbura, ose të përshkojnë 5 kilometra në këmbë për të arritur pikën lidhëse që ka vënë në shërbim Komuna Portëz. Në komunë konfirmohet se edhe për vitin 2008 nuk është parashikuar asnjë fond për ndërtimin e një ure në ndihmë të këtij komuniteti.

Rasti

Viktima e fundit, para një jave

Një 35-vjeçar nga fshati Kraps ka rrezikuar jetën para një jave, pasi u rrëzua nga një urë e amortizuar, që lidh fshatin e tij me pjesën tjetër të botës. Vullnet Hoxha, baba i dy fëmijëve, ka qenë duke u kthyer në shtëpi, kur ka shkelur në dërrasë të kalbur dhe ka rënë në ujërat e lumit Gjanicë. Fatmirësisht, disa banorë të fshatit e kanë parë 35-vjeçarin të rrëzohej dhe i kanë shkuar shpejt në ndihmë, duke e dërguar në spitalin e Fierit. Sipas burimeve spitalore, Hoxha ka pësuar dëmtime në këmbë dhe në ije. Banorët e Krapsit tregojnë mbi 12 raste kur fëmijë dhe të moshuar kanë rënë nga ura dhe janë plagosur rëndë. Pak ditë më parë, nga njëra prej urave ka rënë edhe një fëmijë 7 vjeç E.Beja, i cili ka përfunduar në spital.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›