Rrjolli, 1000 banorë të izoluar prej urës
Rreth njëmijë banorë të fshatit Rrjoll të Komunës Velipojë janë të detyruar që pjesën më të madhe të dimrit të jetojnë të izoluar. Ndryshe nga zonat e tjera, ku është problematike bora, në këtë zonë është problem ura mbi lagunën e Vilunit. Ura është e gjatë rreth 250 metra dhe lidh fshatin Rrjoll me pjesën tjetër të Velipojës. Kjo urë primitive, e cila aktualisht është tejet e amortizuar, është ndërtuar para 4 vitesh nga vetë banorët e zonës me mjete rrethanore. Para se të ndërtohej ajo, ky fshat kishte një varkë të vetme që shërbente për të transportuar banorët nga njëri breg në tjetrin. Në kohë me furtunë dhe me shi, banorët mbesin të izoluar në fshat, nga frika për të kaluar mbi urë. Shpeshherë ka pasur raste që në këtë lagunë kanë humbur dhe jetë njerëzish, duke rrëshqitur nga ura, ose duke dashur të kalojnë me not për të dalë në fshatin Velipojë. Banorët e zonës, të frikësuar nga situata e krijuar, kërkojnë patjetër ndërhyrjen e shtetit dhe komunës, pasi janë të rrezikuar seriozisht për jetën. Njëri prej tyre, Kolë Molla, duke folur për gazetën tregon se "në kohën kur ka erë, nuk mund të hipet mbi urë, pasi rrezikon që era e fortë të të hedhë në lagunë". Ndërsa një banor tjetër, Gjovalin Zeka, tregon se "ura ekzistuese është ndërtuar në mënyrë primitive nga vetë banorët, me dërrasa dhe ajo nuk ka asnjë element sigurie. Në disa vende, dërrasat janë thyer nga uji dhe ura është bërë e rrezikshme për t‘u kaluar". Zona për të cilën flitet është turistike, e cila ndodhet në afërsi të Plazhit të Velipojës. Gjatë sezonit të verës, ura është shumë e frekuentuar nga pushues të shumtë, duke u bërë kështu njëherazi edhe rrezik për ndonjë tragjedi. Deri para pak vitesh, në këtë zonë nuk ekzistonte fare urë. Banorët e Rrjollit kalonin me varka lagunën, që në disa vende arrin deri në 15 metra thellësi. Më pas ata u bashkuan dhe me mjetet e tyre ndërtuan urën prej dërrase. Ndërkohë, drejtues të Komunës Velipojë, shprehen se shumë shpejt do të nisin punimet për rikonstruksionin e urës, me një fond prej 500 mijë lekësh.