Atentat në mes të Shkodrës, vritet 27-vjeçari
Një 27-vjeçar është vrarë, ndërsa një 32-vjeçare është plagosur rëndë mbrëmjen e djeshme në qytetin e Shkodrës. Viktima e atentatit mësohet të jetë Olsi Curri, 27 vjeç, banues i lagjes "Skënderbeg" të qytetit të Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19.30, në një nga rrugët kryesore të qytetit, në afërsi të sheshit "Prek Cali". Viktima është qëlluar me disa plumba pistolete. Njëri nga plumbat ka prekur në krah edhe një grua 31-vjeçare, kliente në njërin prej dyqaneve që ndodhen pranë vendit të ngjarjes. Kalimtarët e rastit janë munduar ta ndihmojnë të plagosurin 27-vjeçar, duke e dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Shkodrës, por çdo përpjekje ka qenë e kotë. Ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës, pa mundur të marrë ndihmë mjekësore. Për Policinë e Shkodrës, ngjarja është plotësisht e errët. Nuk ka ende të dhëna për autorët apo motivet e ngjarjes. Nga dëshmitë e disa personave, të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të atentatit, mësohet se viktima ka qenë duke ecur në këmbë kur është qëlluar disa herë nga një makinë në ecje. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja pistolete. Policia ka shoqëruar disa persona, dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes për të rindërtuar skenën e krimit, në mënyrë që të zbardhen detaje që do të çojnë në zgjidhjen e enigmës. Ndërkaq, në rrugët kryesore të qytetit policia ka ngritur disa postblloqe të lëvizshme, me qëllim ngushtimin e rrezes së lëvizjes së autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
A.Hoti
A.Hoti