E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët kapin tre shqiptarë me 333 kilogramë marijuanë

Policia greke ka arritur të identifikojë dhe shkatërrojë një organizatë të trafikimit të lëndëve narkotike që kishin për origjinë Shqipërinë. Sipas Drejtorisë së Policisë së Epirit, mbrëmjen e së mërkurës, agjentë të antidrogës së kësaj drejtorie kanë identifikuar dhe bllokuar 333 kilogramë kanabis sativa, ndërkohë që në prangat e policisë helene kanë rënë tre shtetas shqiptarë.

Të njëjta burime saktësojnë se policia greke, gjatë një kontrolli të zhvilluar gjatë orëve të vona të së hënës, ka pikasur dy automjete të dyshimta, një furgon dhe një autoveturë, që kalonin nëpër një rrugë lokale pranë kufirit shqiptaro-grek. Pas identifikimit të automjeteve, agjentët janë vënë në ndjekje dhe pasi i ka bllokuar rrugën, kanë rrethuar dy automjetet.

Më pas, agjentët kanë kontrolluar me imtësi në brendësi të tyre dhe gjatë kontrollit kanë gjetur të fshehura 333 kilogramë lëndë narkotike, të llojit kanabis sativa. Sasia e konsiderueshme e drogës ishte e vendosur në paketime të ndryshme.

Ndërkohë, mësohet se në prangat e policisë janë vënë tre anëtarët e bandës, të cilët shoqëronin mallin. Të tre ishin shtetas shqiptarë, ndërsa mësohet se po kryhen hetime edhe për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të organizatës, që sipas informacioneve të marra ndodhen në kryeqytetin grek, Athinë. Të njëjtat burime kanë theksuar se aksioni është ndërmarrë pas një sinjalizimi që kishte ardhur nga homologët shqiptarë, të cilët kishin servirur informacione se një sasi e madhe lëndësh narkotike do të kalonte kufirin shqiptaro-grek gjatë këtyre ditëve. Ky informacion iu përcoll palës greke në kuadër të bashkëpunimit midis dy policive.

Që prej marrjes së informacionit, policia e vendit fqinj kishte intensifikuar kontrollet në pikat kufitare. Ndërkohë, mësohet se pas ndalimit, tre shtetasit shqiptarë, mëngjesin e djeshëm janë dërguar në Gjykatën e Igumenicës. Togat e zeza të kësaj gjykate kanë vlerësuar të ligjshme masën e marrë ndaj tre shqiptarëve, duke i lënë në burg deri në përfundim të hetimeve.

Shqiptarët do të përgjigjen për akuzën e "trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike", ndërkohë pritet që persona të tjerë të bien në prangat e policisë pas zbulimit të rrjetit, që nisej nga Shqipëria dhe kishte për destinacion Greqinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›