E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat në shtëpinë e Hashim Thaçit

 

Shqiptarët e të gjithë rajonit kanë shprehur reagimin e menjëhershëm dhe shqetësimin e tyre të thellë për sulmin e armatosur një natë më parë në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Sulmi u vlerësua si një akt antishqiptar dhe si një përpjekje e kotë për të penguar proceset historike dhe euroatlantike nëpër të cilat po kalon Kosova. Lajmi u njoftua nga SHPK dhe menjëherë mediat u mbushën me dhjetëra reagime, të cilat mbështetnin dhe inkurajonin familjen Thaçi, kryesisht nga politikanët shqiptarë të rajonit. Sulmi ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:15. Rojet e armatosura të Thaçit shkëmbyen zjarr me sulmuesit, duke plagosur të paktën njërin prej tyre. Ata kanë parë një njeri se si po përpiqej të hynte në shtëpinë dykatëshe nga ballkoni i sipërm në lagjen "Arbëria", Prishtinë. Kreu i qeverisë së Kosovës nuk ka qenë në shtëpi në kohën e sulmit, por aty ndodheshin bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët nuk kanë pësuar lëndime. Sipas zëdhënësit të SHPK-së, Arbër Beka, policia ka ndërhyrë në momentin e parë të marrjes së njoftimeve nga ana e sigurimit të Kryeministrit. "Pas paralajmërimit nga ana e sigurimit, ka pasur edhe shkëmbim me armë zjarri. Pas shkëmbimit me armë zjarri, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Njësitet policore që kanë dalë në vendin e ngjarjes, dyshojnë se së paku një nga të dyshuarit është plagosur si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri", tha Beka. Ndërkohë nuk dihet numri i sulmuesve të armatosur dhe as motivi i saktë i ngjarjes, për të cilin policia po punon ta zbardhë.
Reagimi i Thaçit
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar në një konferencë për shtyp se nuk do të paragjykojë askënd dhe nuk do të merret personalisht me sulmin, duke ua lënë në dorë organeve kompetente të drejtësisë. Thaçi u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të Kosovë që të ruajnë qetësinë për 15 qershorin, kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e vendit.    
Siguri e lartë
Dje në mëngjes zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka organizuar një konferencë urgjente për mediat, duke e cilësuar këtë si një akt kriminal dhe njoftoi rritjen e shkallës së sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë. "Fakti që dikush ka bërë përpjekje ta lëndojë Kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal, që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjes, qoftë edhe padurimin apo urrejtjen politike. Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e qeverisë dhe bartësit e institucioneve të tjera, si dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje është shumë serioze", u shpreh Kuçi, duke refuzuar çdo mundësi që akti do të ndikojë në ndaljen e politikave të Kryeministrit dhe qeverisë. Një rast i tillë në Kosovë ka ndodhur me një sulm kundër shtëpisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova, rast i cili nuk është zbardhur ende.
Reagime
Institucionet e Kosovës, të Shqipërisë, partitë politike në të gjitha trojet shqiptare, e kanë cilësuar sulmin e mbrëmshëm në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi si një akt të rëndë që tentoi të pengojë sovranitetin dhe ardhmërinë evropiane të Kosovës. Përmes një deklarate, Kryesia e PDK-së dënoi sulmin si akt të rëndë kriminal që cenon integritetin kombëtar, institucional, familjar dhe individual të liderit të PDK-së, Thaçit. Edhe kryesia e LDK-së e dënon sulmin e mbrëmshëm si të papranueshëm dhe si sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj z. Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës. AKR e Behxhet Pacollit e dënoi këtë akt, duke e vlerësuar atë si shumë të dëmshëm edhe për zhvillimet në Kosovë. edhe partia e Fatmir Limajt, AAK kërkoi nga organet e rendit që ta zbardhin urgjentisht këtë rast kriminal dhe vlerësoi se institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre janë të paprekshëm. Shtabi i Përgjithshëm i Trupave Mbrojtëse të Kosovës e dënoi fuqishëm sulmin si të drejtuar kundër interesave të përgjithshme shtetërore dhe kombëtare. Edhe KMDLNJ fuqishëm e gjykon këtë sulm i cili është drejtuar kundër Institucioneve të Republikës së Kosovës. Indinjatë të thellë ka shprehur edhe  Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së suke e cilësuar sulmin si një akt terrorist. Bashkimi Demokratik Shqiptar dënon ashpër këto veprime për destabilizimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe i cilëson ato si sulme ndaj demokracisë, ndaj pavarësisë së Kosovës, sulm ndaj bashkëluftëtarëve të legjendarit Adem Jashari.

Sejdiu: Të zbardhet ngjarja

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e ka dënuar ashpër sulmin ndaj shtëpisë së Kryeministrit Thaçi dhe ka kërkuar zbardhjen e menjëhershme të kësaj ngjarjeje që sulmon drejtpërdrejtë institucionet e Kosovës. "Ky akt është një sulm i drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj z. Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës", tha Sejdiu. Presidenti Sejdiu i ka telefonuar z. Thaçi me të marrë lajmin dhe i ka shprehur atij keqardhjen e thellë për këtë akt të pashembullt, duke kërkuar nga Kryeministri që shqetësimin e tij t'ia përcjellë edhe familjes Thaçi. "Kërkojmë nga organet e rendit dhe të ligjit që t'i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që ky rast të zbardhet sa më parë, kurse personat e përfshirë në këtë akt të shëmtuar të vihen para organeve drejtësisë", theksoi Presidenti Sejdiu, thuhet në njoftimin për opinionin e lëshuar nga Zyra për informim publik pranë Presidentit të Kosovës.

Topi e Berisha: Dënojmë aktin

Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha kanë dënuar dje aktin kriminal të kryer ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit i ka telefonuar dje paradite Thaçit ku i ka shprehur mbështetjen e plotë, duke e konsideruar këtë një sulm të qëllimshëm ndaj institucioneve të ligjshme të Kosovës. "Gjatë bisedës telefonike Presidenti i Shqipërisë i shprehu mbështetjen e plotë kryeministrit Thaçi dhe të gjitha institucioneve demokratike të Kosovës, duke i inkurajuar ato që të vazhdojnë me vendosmëri zbatimin e detyrimeve kushtetuese për të ndërtuar një shtet të së drejtës dhe një Kosovë demokratike dhe evropiane", thuhet në njoftimin për shtyp. Edhe kreu i qeverisë i ka telefonuar homologut të tij. "Kryeministri Berisha i shprehu zotit Thaçi solidaritetin e tij për këtë ngjarje të rëndë, e cila ka për qëllim të destabilizojë situatën në Kosovë. Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu besimin se autoritetet kompetente do të ndalojnë dhe vendosin para ligjit të gjithë ideatorët dhe ekzekutuesit e këtij akti kriminal", bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrisë. 

Ahmeti: Sulmi nga qarqe antishqiptare
Kreu i BDI në Maqedoni, Ali Ahmeti ka reaguar me shqetësim kundrejt sulmit në shtëpinë e Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi. Ai e komentoi këtë akt si një sulm të qarqeve antishqiptare të shkaktuar nga alarmi dhe shqetësimi i tyre për proceset progresive që po kalon Kosova. "Me shqetësim morëm lajmin për këtë sulm. Momentet vendimtare që po kalon Kosova dhe gjithë kombi shqiptar, nuk do mend se kanë alarmuar dhe kanë vënë në lëvizje të gjitha qarqet antishqiptare. Atentati flet qartë se deri ku mund të arrijë çmenduria e armiqve të Kosovës dhe perspektivës euroatlantike të kombit tonë. Unë dhe BDI, si dhe mbarë populli shqiptar në Maqedoni, duke dënuar këtë akt të mjerë, solidarizohemi me përkushtimin tuaj për ta bërë Kosovën shtet modern dhe të integruar në NATO dhe BE. Jam i bindur se ju personalisht, ekipi juaj dhe mbarë populli i Kosovës do e rritni edhe më shumë përcaktimin për ta bërë Kosovën shtet ku do sundojë ligji, e drejta, rendi, siguria dhe demokracia", shkroi Ahmeti në telegramin e tij drejtuar Thaçit.

Krasniqi: Shantazh për misionin historik
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e dënoi ashpër sulmin në shtëpinë e Kryeministrit të vendit, Hashim Thaçi në Prishtinë. Sipas tij, sulmi ka për qëllim shantazhin ndaj institucioneve të Kosovës. "Ky sulm kriminal e qyqar me armë në shtëpinë e zotit Thaçi dhe familjes së tij është edhe një përpjekje e shqetësuar dhe e kotë për të shantazhuar e penguar Qeverinë e institucionet e tjera të Kosovës në përmbushjen e misionit historik të tyre. Në kohën kur Republika e Kosovës dhe populli i saj po përgatiten për ta inauguruar Kushtetutën e Pavarësisë dhe kur institucionet tona do t'i marrin kompetencat e shtetësisë e të sovranitetit të vendit, në vigjilje të shënimit solemn të 9 vjetorit të lirisë dhe të paqes në Kosovë, sulmi mbi Kryeministrin Thaçi dhe familjen e tij, vjen si një mesazh kundër Kosovës, institucioneve të saj e zhvillimeve historike nëpër të cilat po kalojmë. Kërkojmë që organet kompetente vendore dhe ndërkombëtare ta hetojnë këtë ngjarje kriminale, duke i identifikuar dhe sjellë para drejtësisë aktorët e saj", tha në reagimin e tij kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›