E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis Euro 2008, Çekia mposht 1-0 Zvicrën

 

Kampionati Evropian i futbollit fillon të dhurojë spektakël dhe emocione për të gjithë sportdashësit. Me një festë hapëse mjaft mbresëlënëse, takimi i parë i kompeticionit ishte pikërisht ndeshja midis vendit organizator, Zvicrës dhe përfaqësueses së Çekisë. Një ndeshje, e cila nisi mes shumë emocionesh, të cilat u shfaqën edhe te lojtarët në minutat e para të lojës. Të dyja skuadrat u munduan të jenë sa më të qeta në fushë, duke zhvilluar një lojë pa shumë presing dhe pa shumë aksione, pasi u përqendruan te lufta në repartin e mesfushës dhe te kundërsulmi. Pjesa e parë nuk pati shumë raste për shënim, kur të dyja skuadrat vendosën të kërkonin golin me anë të aksioneve që vinin e rriteshin gradualisht. Ndërkohë, kapiteni i Zvicrës, Aleksander Frai, u detyrua të dalë nga fusha e lojës pak momente para se të përfundonte 45-minutëshi i parë, për shkak të një dëmtimi, i cili duket se do ta lërë jashtë Evropianit. Futbollisti i Zvicrës doli nga fusha mes lotëve, ndërkohë që pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola. Edhe pjesa e dytë u duk se do të ishte kopje e të parës, pasi ekipet vazhduan të përdornin të njëjtën taktikë, duke mos lejuar që të luhej një futboll i hapur dhe me aksione të shumta. Por, një mënyrë e tillë loje nuk i ndaloi çekët që të merrnin tri pikët nga kjo ndeshje. Ka qenë minuta e 71-të, kur i sapofuturi në fushën e lojës, sulmuesi Sverkos, shënoi golin e vetëm të takimit. Futbollisti që zëvendësoi shtatlartin Jan Koler, përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes kundërshtare, duke u treguar mjaft i saktë përballë portierit Benaljo. Një gol shumë i rëndësishëm, i cili vlen plot tri pikë. Gjithsesi, në minutat e mbetura, zviceranët iu afruan disa herë golit, kur në minutën e 80-të goditën shtyllën e Piter Çeh, ndërkohë që kërkuan penallti në dy raste, kur i njëjti person, Tomas Ujfalushi, kapi topin me dorë. Gjithsesi, gjithçka përfundoi në favor të çekëve, të cilët kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Ceremonia hapëse
Me një ceremoni mbresëlënëse e plot ngjyra në stadiumin “St. Jakob-Park” në Bazel të Zvicrës morri udhë edhe Kampionati Europian i futbollit. Shfaqja, e konceptualisht e dizenjuar nga drejtori artistik Martin Arnaud dhe agjencia “Auditoire” sollën shumë elementë të kombinuar, për të sjellë imazhin dhe trashëgiminë e dy vendeve organizatore, Zvicrën e Austrinë.  Në fokus ishte sporti dhe kultura, por dhe mesazhi i vlerave të UEFA-s për lojën e ndershme. Gjatë shfaqjes, që zgjati 13 minuta, rreth 1 mijë performues nga kombësi të ndryshme, të moshës nga 14 deri në 70 vjeç, u dha imazhi i dy vendeve, që nis nga e bardha e Alpeve e deri te jeshilja e pamjeve pastorale.
600 vullnetarë mbajtën kube shumëngjyrësh, duke krijuar një seri imazhesh gjigande e peizazhe. Në Ceremoninë Hapesë parakaluan edhe 16 fëmijë, të cilët mbanin 16 flamujt, që përfaqësonin çdo vend pjesëmarrës të Euro, të udhëhequr nga Miss Zvicra 2007, Amada Aman, e cila është gjysmë zvicerane dhe gjysmë çeke. Mijëra tullumbace të bardha e jeshile, si dhe një zjarr spektakolar fishekzjarrësh i dhanë një pritje të ngrohtë shfaqjes, që çeli edhe Kampionatin e 13-të Evropian.

Skeda e ndeshjes

Zvicër – Çeki 0 - 1
Golat: Sverkos 70’
Zvicër (4-4-2): Benaglio, Lichtsteiner (Volanthen 75), Muller, Senderos, Magnin, Behrami (Derdiyok 84), Inler, Gelson, Barnetta, Frei (Yakin, 46), Streller. Tr.: Jakob Kuhn
Çekia (4-5-1): Cech, Jankulovski, Rozehnal, Ujfalusi, Grygera, Plasil, Polak, Galasek, Jarolim (Kovac 87’), Sionko (Vicek, 82), Koller (Sverkos, 55). Tr.: Karel Brukner
Kartonë: Magnin, Volanten, Barneta
Stadiumi: St Jakob Park
Spektator: 42000
Gjyqtar: Roberto Rozeti

Kuhn: Triumfoi eksperienca
Tekniku i skuadrës vendëse, Jakob Kuhn, është shumë i zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes kundër Kombëtares së Republikës Çeke, por jo nga loja e lojtarëve të tij. Drejtuesi i stolit të Zvicrës mendon se eksperienca e paktë e lojtarëve të tij në të tilla kompeticione ishte fatale për rezultatin final të kësaj përballjeje: “Jemi një skuadër e re në moshë, por treguam se dimë të luajmë mjaft mirë futboll. Gjithsesi, në këtë sport, gjëja më e rëndësishme është rezultati dhe ne nuk arritëm ta realizojmë një gjë të tillë. Shpërdoruam mjaft raste për shënim, por edhe gjyqtari nuk u tregua shumë drejtë ndaj nesh, pasi mendoj se të paktën një 11-metërsh e meritonim. Tashmë, na mbetet që të kërkojmë rezultatin në dy sfidat e mbetura”, tha trajneri, Kuhn.

Brukner: Konfirmuam forcën
Ndeshja e parë e Evropianit 2008 i ka buzëqeshur kombëtares së drejtuar nga Karel Brukner, pas suksesit kundër njërës prej vendeve organizatore, Zvicrës. Kombëtarja çeke, falë një goli të Sverkos në minutën e 71-të hedh një hap shumë të rëndësishëm drejt fazës së ardhshme. “Konfirmuam edhe një herë tjetër forcën e këtij kolektivi. Pavarësisht se nuk jemi më formacioni i frikshëm i Botërorit të 2006, ky grup lojtarësh tregoi se ka ende shumë për të dhënë. Ndonëse, sfida u duk sikur u dominua nga zviceranët, ne bëmë lojën tonë dhe pritëm momentin e duhur për të goditur. Tashmë, për sfidat e ardhshme, mund t’i bëjmë disi më ndryshe llogaritë se kundërshtarët tanë”, deklaroi tekniku i Kombëtares së Republikës Çeke, Karel Brukner.

“Eksperti” ideal
Vetëm televizioni i BBC-së mund të mendojë se është ide e mirë të përdorësh paratë e taksapaguesve për të punësuar ish-trajnerin e Anglisë, Stiv Meklaren, si komentator “ekspert” në ndeshjen e sotme midis Austrisë dhe Kroacisë, në Vjenë. Pa dyshim që Stiv Meklaren e skualifikoi veten si ekspert për Kroacinë, kur u mund dy herë prej saj gjatë eliminatoreve të Euro 2008.

Ka ditëlindjen
Futbollisti kroat Hrvoje Vejiç do të jetë i pari nga lojtarët e evropianit që feston ditëlindjen gjatë finaleve. Mbrojtësi i Kroacisë, i lindur më 8 qershor 1977, sot do të festojë 31-vjetorin. Një fitore kundër Austrisë do ta bënte më të bukur festën e Vejiç.

Terminatori futbollist
Arnold Shvarceneger ka qenë një sulmues krahu që premtonte shumë për të ardhmen, në qytetin e tij të lindjes, Grac i Austrisë, deri sa mbushi 15 vjeç. Më pas, ai e la futbollin për t’iu kushtuar një sporti tjetër, body-building.

Verdikti i ekspertëve
Teksa Kampionati i 13-të Evropian i futbollit hap siparin me ndeshjen Zvicër-Çeki (sot ora 18:00), të gjithë ekspertët janë në një mendje: kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak do të ngrejë trofeun në fund të muajit. Në fakt, kujtesa e katër viteve më parë në Portugali, Evropa pa në fron një ekip tërësisht “outsider”, Greqinë. Por, “king Otto” (gjermani Oto Rehagel u mund nga Shqipëria më pas) arriti të thyente me radhë Portugalinë, Spanjën, Francën, Çekinë e sërish Portugalinë.

Paruket e tifozëve
Qeveria holandeze paralajmëroi tifozët portokalli se paruket që ato vënë tradicionalisht në stadium gjatë ndeshjeve të Kombëtares janë të rrezikshme në një farë mënyre, pasi mund të marrin zjarr shumë lehtësisht. Autoritet vendore në Holandë pas disa studimesh dolën në konkluzionin se rreth 30 për qind e parukeve dhe shalleve mund të marrin zjarr menjëherë nëse ndodhen pranë një cigareje të ndezur apo çakmaku.

Kapelo i thur lavde Gjermanisë

Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo jep mendimin e tij për favoritët e Euro 2008. “Favoritët e mi janë Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja, por edhe Portugalia”. Ish-trajneri i Juventusit shtoi si e mbështet skuadrën e vendit të tij, Italinë, për arsye patriotike, ndërsa Gjermaninë për arsye pragmatike. Kapelo admiron eksperiencën, organizimin. “Klube si Bajerni i Munihut janë shumë të mirë për të qenë kompetitivë në Europë, por kur lojtarët luajnë për ekipin kombëtar ata janë shumë të fuqishëm. Ata nuk kanë probleme. Ndonjëherë dhe ata humbasin, por gjithmonë luajnë për të fituar. Mentaliteti gjerman është shumë i fortë. Gjermania është një nga ekipet favorite për të fituar Europianin”.

Portugalia lëshon sfidën për trofeun, thyen 2-0 Turqinë

Kombëtarja e Portugalisë arriti të fitojë në takimin e parë të vlefshëm për euro 2008, duke paralajmëruar të gjitha skuadrat që pretendojnë të fitojnë titullin si Kampion Evrope sivjet. Ekipi i trajneri Luis Felipe Skolari mundi me rezultatin 2-0 një Turqi mbresëlënëse dhe të aftë për të kërkuar kualifikimin për në raundin tjetër, pavarësisht humbjes së djeshme. Një ndeshje e mbushur me emocione dhe episode të ndryshme. Tre goditje të shtyllës nga ana e portugezëve, dy raste ku turqit kërkuan penallti një gol i anuluar dhe dy golat të shënuar mjaft lehtësisht. I pari që gjeti rrugën e rrjetës ishte mbrojtësi portugez Pepe, pasi gjuajti saktë me kokë brenda zone, por goli u anulua nga arbitri anësor. Gjithsesi, kjo nuk i ndaloi portugezët, pavarësisht se shkuan në dhomat e zhveshjes në barazim të bardhë. Pjesa e dytë nisi sërish e vrullshme, me të dyja ekipet që u munduan të shënonin. Por, sërish mbrojtësi që aktivizohet te Reali i Madridit, arriti të jetë protagonist. Pas një aksioni mjaft të bukur, Pepe e gjeti veten përballë me portierin Demirel dhe shënoi golin e parë të takimit, i cili i dhuroi avantazhin kombëtares së tij. Pjesa tjetër e takimit ishte e mbushur me raste për shënim dhe në fakt, kanë qenë sërish djemtë e Skolarit ata që e rrezikuan më shumë portën kundërshtare, kur Nunjo Gomesh goditi traversën, pas një gjuajti me kokë brenda zone. Ndërkohë, goli i sigurisë erdhi vetëm në minutën e tretë shtesë.

Portugali – Turqi    2 - 0

Golat: Pepe 61’, Meireles 93’
Portugalia (4-2-3-1): Rikardo, Bosingua, Pepe, Rikardko Karvajo, Paulo Ferreira, Petit, Mutinjo, Ronaldo, Deko (Meira 90’), Simao (Meireles 83’), Nuno Gomes (Nani 68’). Trajner: LuisFelipe Skolari
Turqia (4-3-2-1): Demirel, Altintop (Senturk 76’), Çetin, Zan (Asik 55’), Balta, Kazim-Riçards, Emre, Aurelio, Erdink (Sarioglu 46’), Tunkaj, Nihat. Trajner: Fatih Terim
Kartona të verdhë: Zan, Kazim-Riçards, Sarioglu
Spektatorë: 30,000
Arbitër: Herbert Fandel

Bekenbauer
Presidenti i Bajernit të Mynihut, Franc Bekenbauer, nuk beson te ndonjë surprizë siç ndodhi 4 vjet më parë me Greqinë. “S’besoj se do kemi një fitues siç Greqia para 4 vjetësh. Do të kemi një kampionat tepër të fortë. Si kandidate shoh Italinë e Francën, por do theksoja edhe Gjermaninë e Spanjën. Ne kemi shans të mirë nëse Balak do të bëjë paraqitje si në ndeshjen kundër Serbisë”.

Arjen Roben
Lajme te këqija vijnë për Holandën. Arjen Roben, i cili edhe më parë nuk ka qenë në kushte të mira fizike, është dëmtuar në ije gjatë stërvitjes. Ai nuk do të marri pjesë në ndeshjen hapëse kundër Italisë, që do të luhet të hënën në orën 20:45 në Bernë. “Më vjen shumë keq për lojtarin, - tha Marko Van Basten. - Është një humbje e madhe për skuadrën tonë”.

Austri-Kroaci
Të paktën 50 mijë tifozë kroatë priten të jenë të dielën në Vjenë në prag të ndeshjes midis Austrisë e Kroacisë, të vlefshme për Grupin B të Euro 2008. Me kombëtaren austriake luan dhe shqiptari 22-vjeçar, Gërcaliu. Në stadium do të jenë 16.500 kroatë, por numri i atyre që do të ndjekin ndeshjen në ekranet e vendosur në kryeqytetin austriak arrin në 35 mijë.

Del Piero
Alesandro Del Piero pohoi se është i gatshëm të udhëheqë Italinë në ndeshjen e parë kundër Holandës. Del Piero është në turneun e tij të 7-të të madh me Italinë, ndërsa sezonin e kaluar shënoi 21 gola në Serie A. “Nëse do të më pyesnit mua, nëse unë ndihem si kapiten, unë do të thosha po”, komentoi Del Piero. 33-vjeçari tha se martesa e lindja e djalit e ndihmuan të rigjente formën.

Fabregas
Arsen Venger nuk pushon kurrë së lëvduari cilësitë e lojtarëve që ai ka te Arsenali. Francezi e vlerësoi spanjollin Cesk Fabregas si një shembull të rrallë të inteligjencës. “Qëllimi i tij është të luajë gjithmonë futbolli, dhe është fantastike kur mendon se ai është kaq i ri. Unë e shoh atë çdo ditë. Ai ka një kuptim të madh të lojës, kur futbolli po bëhet më shumë atletik”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›