E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët në varfëri pas krimit në familje

Të gjithë duket sikur janë ndëshkuar nga ngjarja që ndodhi në familjen e tyre. 

Fatos Mahmutaj  

Babai iku pa kthim, gruaja u dënua për vrasje, ndërsa pesë fëmijët jetojnë në Baldushk, fshat në periferi të Tiranës, në një varfëri të tejskajshme dhe në vështirësi të panumërta financiare. Të paktën prej një viti, që kur Aishe Pojana vrau bashkëshortin Hasanin, ekonomia me të cilin mbajnë frymën gjallë pesë jetimët është shumë e pakët. Madje, gjithë burimet e të ardhurave të tyre mund të numërohen me gishta. Janë pak dele, dy gomarë dhe disa zogj të një pule deti. Fitimit të nxjerrë prej “blegtorisë” duhet t’iu shtohet shuma modeste prej më pak se tre mijë lekë, që u jep komuna nëpërmjet një fondi të veçantë akorduar enkas për ta. Banesa ku tashmë jetojnë vetëm fëmijët, ndodhet në skajin me të largët të fshatit në faqe të një kodre. Asnjëlloj automjeti nuk mund të shkojë deri atje, kështu që e vetmja mënyrë për t’i “vizituar” është të ecësh në këmbë në rrugë të parrahur përgjatë një përroi që zbret nga kodra. I vetmi njeri që gjejmë në rrugë është një bari delesh, nxënës i vitit të tretë në shkollën e mesme të fshatit. Duke mos pasur zgjidhje tjetër detyrohemi ta marrim udhërrëfyes. Përgjatë rrugës djali na tregon se lagjja ku banojnë pesë fëmijët e çiftit Pojana është braktisur prej vitesh. Ekonomia e dobët e më të cilin jetonte familja e tyre ka bërë që të mbeteshin aty me shpresën që një ditë të largoheshin edhe ata. Por siç duket, fati i keq po i sprovon sërish ndërsa jetojnë të vetëm, kurse më parë jetonin nën dhunën e të atit që më shumë qëndronte i dehur sesa esëll. Kur i afrohemi banesës shohim që ajo nuk ka ndonjë ndryshim nga kasollet e bagëtive që shihen nëpër fshatin Baldushk. Në njërën nga dhomat, (kjo ishte më e mira e banesës) ndodhej një televizor një divan i kohës së komunizmit dhe një tjetër pak më i ri. Dyshemeja prej dheu e paniveluar mbulohej nga një plastmas i grisur. Nëpër dyert gjysmë të shkatërruara hyjnë dhe dalin sipas dëshirës qentë dhe pulat e shtëpisë. Në tavan, tjegullat dhe rrasat e gurit më të cilët është mbuluar banesa duken qartë mes drurëve dhe trarëve gjysmë të kalbur mbi të cilët qëndrojnë. Në mesditë në banesën e Aishe Pojanës gjen vetëm tre fëmijët më të vegjël. Djali i madh, Luani 19 vjeç, së bashku me motrën një vit më të vogël kanë shkuar në Tiranë për të takuar të ëmën në burg. Djali tjetër vetëm 15-vjeç Gramozi, i lodhur nga paraditja po qëndronte të qetësohej dhe të riniste sërish rutinën e ngarkuar të pasdites. Veç kullotjes së deleve të pakta, atij i duhet që çdo ditë të presë dru në pyll për t’i transportuar me gomar në qendër të fshatit ku i shet për 500 apo 600 lekë një metër kub. “Nuk kemi rrugë tjetër për të jetuar dhe për t’i dërguar ushqime nënës në burg”, thotë mendueshëm Gramozi me trupin e imët që të jep përshtypjen se nuk mund të jetë më shumë se 11 vjeç. Të bezdisur nga gazetarët e shumtë, punonjësit e OJQ-ve fantazma apo zyrtarët e shumtë që i vizitojnë herë pas here për t’iu premtuar se do i ndihmojnë, Gramozi dhe dy motrat e tij më të vogla fillimisht e kanë pak të vështirë të ambientohen. Migena që ka pak muaj që ka kaluar 14 vitet thotë shkurt: “Ju e dini mirë se për çfarë kemi nevojë ne. Ndaj ikni se të gjithë që vijnë na thonë vetëm fjalë të mira dhe asgjë nuk bëhet”. Të zënë ngushtë nga përgjigjja e vajzës së vogël mundohemi të shpjegojmë se jemi veç gazetarë. Siç duket ajo mund ta ketë dëgjuar edhe më parë këtë përgjigje, pasi sapo na përshëndeti u zhduk menjëherë pas njërës prej dyerve të rrënuara të banesës. Burgosja e nënës, me të cilën ka qenë shumë e lidhur i ka lënë asaj barrën e mbajtjes së shtëpisë. Gramozi tregon se i duhet ta nisë ditën herët në mëngjes së bashku me vëllanë më të madh Luanin. “Ndryshe kemi për të vdekur për bukë”, thotë ai, ndërsa vazhdon të pohojë se askush nuk i ndihmon. “Tokat nuk i punojmë dot, pasi i kemi larg dhe janë në vende të thyera”, tregon ai. Motra e tij më e vogël Teuta thotë se vazhdon klasën e gjashtë. Është aq e imët saqë të jep përshtypjen se mund të jetë në klasën e parë. Çdo mëngjes kjo niset për në shkollë dhe i duhet të ecë në këmbë për rreth një orë e gjysmë nëpër pyllin me shkurre për të mbërritur në shkollë. Ndërsa pasdite kujdeset për pulat e detit, ku pohon se gjelin më të madh e ka ruajtur për nënën nëse drejtuesit e burgjeve do kenë mirësinë t’i japin leje për të qenë në shtëpi. “Ndryshe do ia çojmë në burg”, pohon vajza e përlotur. Fëmijët tregojnë se çdo javë i shkojnë për vizitë të ëmës në burg, ku i dërgojnë ushqime që i blejnë me ato fitime të pakta, ndërsa pohojnë se askush prej të afërmve nuk i ndihmon. Pasi marrim rrugën e kthimit kalojmë pranë shtëpisë së Sherbet Pojanës, është xhaxhai i vetëm i fëmijëve që jeton në këtë fshat. Prej vitesh ai është larguar nga lagjja e veçuar dhe ka ndërtuar një banesë diku pranë periferisë së fshatit. Banesa ku ai jeton me bashkëshorten dhe fëmijët e mitur, nuk ka ndryshim nga ajo e jetimëve të vëllait, çka e bën të kotë bisedën me të në lidhje me të pesë jetimët.

Kryeplaku: Aishja piu helm që të shpëtonte nga dhuna e të shoqit

Zenel Vrapi është kryeplaku i fshatit Baldushk. Banesa e tij ndodhet pranë komunës, por siç pohon, për shkak të detyrës që ushtron prej tetë vitesh, i është dashur shumë herë të vizitojë banesën e jetimëve të Hasan Pojanës, por ... “nuk kam mundur të bëj gjë për t’i nxjerrë nga varfëria pesë jetimët”, pohon ai si i zënë në faj. Vrapi është i vetmi person në këtë fshat, të cilit mundëm t’i shkëputnim një intervistë në lidhje me familjen Pojana, pasi përfaqësues të komunës ishin larguar për fundjavë, drejt Tiranës. 
Zoti Zenel, cilat janë marrëdhëniet tuaja si përfaqësuesi i pushtetit lokal me familjen Pojana?
Që kur mësuam ngjarjen e rëndë, në bashkëpunim me komunën, përpiluam një plan masash për të ndihmuar sadopak fëmijët jetimë dhe për t’iu larguar dhimbjen për tragjedinë e dyfishtë, të vdekjes së të atit dhe burgosjes së nënës. Kështu që, nga fondet e pakta të komunës vendosëm të trajtojmë financiarisht me ndihmë social-ekonomike pesë fëmijët e familjes. Kjo shumë, them që është modeste, pak më tepër se tre mijë lekë në muaj, por dihet që të ardhurat dhe fondet e komunës tonë janë shumë të vogla. Pas kësaj, njërin nga djemtë e ndihmuam që të ndiqte një kurs për elektricist, ndërsa vajzën e madhe kurs për parukiere. Kurse fëmijët më të vegjël i dërguam një shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe në një shoqatë të huaj. Por pas pak ditësh të gjithë u larguan dhe u mblodhën sërish në shtëpinë e prindërve, duke pohuar se donin të qëndronin bashkë, kështu që nuk kishim zgjidhje tjetër, veçse t’u caktonim ndihmën ekonomike.
Mund të na thoni diçka për ngjarjen e rëndë në këtë familje?
Problemet midis Hasan Pojanës dhe bashkëshortes së tij kishin vite që vazhdonin. Gjatë gjithë kohës ai ka ushtruar dhunë mbi të dhe ajo disa herë është larguar për te vëllezërit e saj në Zall–Herr. Por siç duket ata nuk e kanë mbajtur dhe ajo detyrohej të kthehej sërish te shtatë fëmijët e saj. Rreth tre muaj para se të ndodhte krimi, Aishja gëlltiti bar miu për të vrarë veten, por ndërhyrja në kohë e fëmijëve bëri që ajo të dërgohej në spital me urgjencë, ku falë mjekimeve shpëtoi. Ndërsa më pas ndodhi tragjedia.
Aktualisht çfarë po bën pushteti lokal në ndihmë të pesë jetimëve?
Thashë që kapacitetet tona si komunë janë të vogla. Por gjatë gjithë kohës përpiqemi të kontaktojmë me donatorë të ndryshëm apo shoqata bamirëse. Madje, disa herë kemi sensibilizuar publikun për të kontribuar sadopak në ndihmë të pesë jetimeve.           fa.ma.

Vrasja e fshehja e kufomës, Pojana 12 vjet burg

TIRANE - Vrasja e bashkëshortit Hasan Pojana, do i kushtojë 12 vjet qëndrim në qeli Aishe Pojanës. Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të pasdites së 11 marsit të vitit të kaluar. Pas një grindjeje midis tyre, Aishja shfrytëzon rastin që në banesë ndodhej vetëm me njërën nga vajzat e mitura dhe e qëllon bashkëshortin me dru në kokë. Pasi i shkakton vdekjen, ajo e vendos atë në shtratin ku qëndronte zakonisht dhe e mbulon. Interesit të fëmijëve të tjerë ajo u përgjigjet se ai ishte në gjumë dhe të mos e ngacmonin, pasi kishte pirë alkool dhe mund t’i rrihte. Natën Aishja së bashku me vajzën e mitur, fshehtas e transportojnë kufomën në pyllin sipër fshatit dhe e groposin pranë një përroi. Më pas, ajo hapi fjalë se bashkëshorti ishte larguar në Greqi, ndërsa pak ditë më vonë nëpërmjet një celulari, me numër të fshehtë i telefononin të birit, Luanit dhe duke imituar zërin e bashkëshortit i thotë se shet i ati dhe e porositi të kujdesej për motrat se ai do qëndronte gjatë në emigrim. Dy muaj më vonë, gjatë një seance pyetjesh Pojana i tregon të gjitha në polici, moment pas të cilit përfundoi në qeli dhe tashmë Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 12 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›