E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Gjana, sherr me fermerët e Fierit

Dështon takimi i organizuar mes ministrit të Bujqësisë, Jemin Gjana dhe fermerëve të Qarkut Fier. 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Dje në sallën e teatrit të qytetit ku të pranishëm ishin rreth 300 fermerë, ministri është gjendur në breshërinë e kritikave dhe sulmeve të tyre. Pas referateve lavdëruese të fillimit bërë prej kreut të Bashkisë së Divjakës, Iirakli Gorea, një fermer fierak çeli siparin e sulmeve ndaj ministrit. Ai u shpreh se, ky takim i ngjan atyre të kooperativave socialiste ku të vërtetat fshiheshin dhe asgjë që duhej thënë vërtet nuk diskutohej. Më pas të irrituar edhe fermerët e tjerë i janë drejtuar ministrit Gjana, duke mos harruar të përmendin se në Qarkun e Fierit 50% e tokave bujqësore janë lënë djerrë. Sipas tyre, ky nuk është një faktor për t’u mburrur dhe lavdëruar. Për minuta të tëra ministri ka replikuar duke sqaruar se, ai ndodhet në qytetin e Fierit në këtë takim si ministër i Bujqësisë dhe jo si anëtar i Partisë Demokratike. “Jemi në një mbledhje pune dhe jo mbledhje partie”, ka pohuar Gjana përpara fermerëve.
Përplasjet
E ndërsa është dukur se me këto fjalë “sikleti” për ministrin kaloi, fjalën e morën me radhë kryetarja e komunës Fratar, Sabire Hoxha, e cila nuk bëri gjë tjetër veçse vazhdoi t’i “përplasë” të vërtetat mbi sektorin e bujqësisë ministrit. Hoxha i kërkoi ministrit në emër të fermerëve të zonës së saj të rishikojë kushtin e vendosur për subvencionim të fermerëve në kriterin e sipërfaqes prej 2 ha tokë. “Asnjë fermer nuk ka kaq shumë tokë në një vend të përqendruar dhe kjo falë ligjit 7501 që u dha tokën gjithë fermerëve rripa-rripa”, është shprehur me tone të ashpra kryekomunarja e Fratarit. Ndërkohë që me tone akoma edhe më të ashpra në këtë takim me ministrin Gjana ka folur kryetari i komunës Frakull, Viktor Cervanaku. Në fjalën e tij Cervenaku ka deklaruar se, subvencionimi për kultura të ndryshme bujqësore vidhet dhe nuk shkon në duart e fermerëve. Viktor Cervanaku duke u dhënë në fakt një leksion të dy palëve që u përfshinë në debat, ministrit dhe fermerëve, u shpreh se jo gjithçka është në dorë të Ministrisë së Bujqësisë përsa i përket punimit të tokës dhe mbjelljes së saj. Ai theksoi se, vetë fermerët duhet të tregojnë vëmendjen e duhur përsa i përket punëve në bujqësi. Ndër të tjera ai shtoi se, subvencionimi dhe gjithë pajisjet për të hapur kanalet kullese duhet të mbërrijnë direkt dhe urgjentisht tek fermeri. Pasi u konsumua një debat i gjerë të cilin vetëm një çast e ndau nga një konflikt skandaloz, në vijim të fjalës së tij ministri Gjana nënvizoi se, bilanci i këtyre tre viteve për bujqësinë s’ka qenë në nivele të kënaqshme. Sipas tij, shumë probleme janë ende evidente. “Unë jam këtu për të gjithë ata fermerë që vërtetë janë të tillë, për ata që i kanë duart me kallo dhe që punojnë”, u shpreh Gjana duke vijuar se, fermerët shqiptarë ankohen dhe qahen duke pritur çdo shërbim nga qeveria. Problemet që u evidentuan nga ky takim me fermerët e Qarkut të Fierit, si qarku me sipërfaqen më të madhe të tokës bujqësore në vend me të paktën 1/5 e tokës, ishin të shumta. Ato iu parashtruan ministrit të Bujqësisë me tone aspak dashamirëse, madje ishin një protestë të cilën ministri nuk e priste dhe as e kishte parashikuar. Fermerët dhe kryetarët e komunave kërkuan subvencionim të rregullt, kushte më të arritshme për të përfituar subvencionim dhe regjistrimin e tokës bujqësore nëpërmjet certifikimit të saj.

2 hektar
tokë në sipërfaqe pranë njëra-tjetrës duhet të ketë një fermer që të përfitojë nga subvencionimi i naftës nga qeveria

50 per qind
e sipërfaqeve të punueshme dhe të shfrytëzueshme janë lënë djerrë nga fermerët e Qarkut të Fierit

300 fermere
kanë qenë të pranishëm dje në sallën e teatrit të qytetit të Fierit në një takim me ministrin Gjana

Mbështetja
Në vitin 2009 Ministria e Bujqësisë do të japë 2 miliardë lekë subvencion, para grand, pa interesa për fermerët shqiptarë. Kjo ndihmë ka për qëllim zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë. Me anë të ecjes përpara të këtij sektori, do të rritej prodhimi vendas e për rrjedhojë do të kishim edhe ulje çmimesh e një konkurrencë më të madhe në treg. Por një tjetër aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë shqiptare është edhe cilësia e ushqimeve. Produktet e importuara shpesh janë të rritura në mënyrë jo natyrale dhe të destinuara veçanërisht për tregun e vendit tonë. Zhvillimi i bujqësisë mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare.

Prodhimi
Reshjet e bollshme këtë vit kanë favorizuar prodhimin vendas. Kushtet atmosferike kanë ndihmuar ekonominë shqiptare. Por çmimet kanë pësuar vetëm një ulje të vogël. Edhe kjo ulje është sezonale, pasi fermerët shqiptarë në kushtet në të cilat ndodhet bujqësia sot nuk kanë asnjë mundësi për të furnizuar me produkte vendase gjithë vendin. Sipas ekspertëve, nevojiten 100 milionë euro grante për ta nxjerrë bujqësinë nga ngërçi që e ka përfshirë. Vendi ynë për ekonominë e brishtë është ndër më të rrezikuarit nga kriza globale e ushqimit. Kjo për shkak të varësisë së madhe që kemi nga prodhimet e importit. Në vendin tonë raporti import-eksport është 1 me 7.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›