E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peter Lucas tregon rrumpallën e piramidave

Rikthehet sërish në Shqipëri. Me një tjetër libër për lexuesin shqiptar. 

ANILA MEMA

Me një tjetër libër për shqiptarët. Pas “Misionit amerikan në Shqipëri”, “Rrumpalla”, është vepra që shtëpia botuese “Bota Shqiptare”, hedh nga nesër në tregun tonë. Gazetari dhe publicisti i njohur Peter Lucas, ka mbërritur të premten në mesditë në Shqipëri, ndërsa nesër do të bëjë promovimin e dy veprave të fundit botuar këtu. “Rrumpalla”, është një skaner i plotë i shoqërisë shqiptare dhe personazheve politikë që drejtuan dhe drejtojnë vendin në dy dekadat e fundit. Peter Lucas ka qenë në Shqipëri mbi njëzet herë. Këto inkursione nëpër vite i kanë shërbyer atij jo vetëm të njohë në imtësi jetën shqiptare, por edhe të takojë edhe personazhe të  politikës shqiptare, më në zë të kohës, të rrëmojë dhe të formulojë mendimet dhe përshtypjet e tij për Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Ismail Kadarenë, Sali Berishën, Rexhep Meidanin, Edi Ramën, Gramoz Pashkon, Paskal Milon, etj.
***
Ideja e “rrumpallës” përshkon të gjithë librin si një fatalitet që e ka shoqëruar këtë vend më së paku që nga fillesat e shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme. Lucas shkruan jo vetëm përmes përvojave të tij, gjatë udhëtimeve në Shqipëri, por rrëfen me ngjyra të gjalla dhe realiste, jashtë kornizave të shkrimeve të zakonshme gazetareske. Në vitin 1986, ai ishte gazetari i parë amerikan që u lejua nga shteti shqiptar i asaj kohe të vizitonte Shqipërinë e bunkerizuar. Në kthimet e tij të vazhdueshme, ai ndërtoi plot me mjeshtëri, vërtetësi dhe art kronikën e ndryshimeve të përjetuara prej Shqipërisë gjatë shkëputjes nga komunizmi dhe përqafimin e rrugës sa të gjatë po aq edhe të vështirë të demokracisë. Në këtë botim me interes është përshkrimi që u bën autori zhvillimeve politike të pas viteve ’90, ku në finale janë dy figurat kryesore të politikës shqiptare te sotme. Mesazhi i kësaj vepre është që “kombi shqiptar t’i japë fund rrumpallës dhe të futet në mbrothësinë e vet”. Majkëll Dukakis, ish kandidat demokrat për Shtëpinë e Bardhë, rival i Xhorxh Bushit në vitin 1988, mik i Peter Lucasi-t dhe i shqiptarëve, në parathënien e librit, ndër të tjera shkruan: “Shqipëria.
***
Pse Shqipëria? Kjo nuk është nga ato pyetje që do ta bënim ne amerikanët e natyralizuar të brezit të parë. Sepse kemi lindur dhe jemi rritur me kulturën dhe gjuhën e prindërve tanë emigrantë, sidomos në Bostonin fort etnik të viteve 1930 dhe 1940, ja se çfarë jemi ne. Në fakt, pyetja e parë që do t’ju bënin njerëzit do të ishte: “Çfarë jeni ju?” Dhe ata nuk e kanë fjalën për gjininë apo seksin. A mos ishit irlandez apo italian, grek apo çifut, apo, po, shqiptar? Sepse etniteti na tregon thuajse në çast se çfarë gjuhe flisnit në shtëpi, çfarë ushqimi hanit dhe në ç’kishë shkonit. Por duhet shumë më tepër se kjo për të treguar jetët tona. Sepse u rritëm duke dëgjuar dhe mësuar për kulturën që krijuan të parët tanë, historinë dhe zakonet tona, dhe, së paku nëse prejardhjen e keni nga Ballkani, duke trashëguar të gjithë historinë e trazuar të këtij rajoni të trazuar……Pra, përse Shqipëria? “Sepse ajo përbën rëndësi në marrëdhëniet me Kosovën dhe Maqedoninë dhe me komunitetet e tyre shqiptare; si një kryqëzim rrugësh në Ballkan; si një shembull studimi i treguesit të punës së vështirë për ta bërë demokracinë të funksionojë. Shumë amerikanë që nuk e kanë prejardhjen nga Ballkani, ende dinë shumë pak ose asgjë për Shqipërinë, pavarësisht nga roli i saj vendimtar në Kosovë dhe në Maqedoni. Për më tepër, shumë pak diplomatë amerikanë dinë shumë për të. Kjo mund të jetë një nga arsyet përse kemi hasur kaq shumë vështirësi në përpjekjen për t’u dhënë formë politikave në Ballkan që përbëjnë kuptim dhe për të kuptuar ndikimin e shqiptarëve jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë kufijve të saj”shkruan autori në vepër.

Gazetari amerikan

Peter Lucas është gazetar amerikan me origjinë shqiptare. Ai ka punuar si gazetar politik dhe editorialist për “Boston Herald”, “Boston Globe” dhe “Boston Phoenix” duke mbuluar ngjarje në Masaçuset, Uashington dhe krejt Amerikën. Lucas ka raportuar nga Vietnami gjatë luftës atje dhe, gjithashtu, nga Kuba, Nikaragua, Salvadori, Hondurasi, Panamaja si dhe nga të trazuarit gadishulli ballkanik dhe Irlanda e Veriut. Ai e ka rrahur Evropën dhe ka qenë në Shqipëri mbi njëzet herë. U fut në ushtrinë amerikane pak para përfundimit të luftës koreane dhe, gjithashtu, në Gjermani gjatë Luftës së Ftohtë. Lucas u lind në Kembrixh të shtetit të Masaçusetit dhe u rrit në lagjen Uest End të Bostonit. Shkollën e mesme e kreu ne Somervil ndërsa studimet universitare pranë Universitetit të Bostonit.  Jeton në Uestford, Masaçuset.

RRUMPALLA

Rrumpalla është një fjalë e vjetër shqiptare me origjinë turke, e vështirë për t’u përkthyer në anglisht. Fjala - e dialektit të Shqipërisë së Mesme - u përhap në tetorin e vitit 2000 kur Edi Rama, Ministër i Kulturës, e nxori prej harresës duke e përdorur për të përshkruar ish-presidentin, Sali Berisha. Rama, 35 vjeç, që sapo kishte mundur kandidatin e Berishës për kryetar bashkie në Tiranë, tha në një konferencë shtypi se fitorja e tij ishte mohim i Berishës dhe fundi i fisit të Rrumpallës. Fjala më futi xixat. Associated Press e përshkoi fjalën rrumpalla si slang shqiptar për anarkist budalla. Gjë që, edhe qëndronte, por ne e dinim se rrumpalla ishte më shumë se kaq. Rrumpalla ishte çmenduri, sigurisht, si çmenduria që përmbyti vendin në 1997-ën pas shembjes së firmave piramidale që u kthye në përleshje kombëtare. Rrumpalla ishte, gjithashtu, përdëllimi që ca njerëz përjetojnë në kaos, shkatërrim dhe gjymtim. Një huligan anglez do ta kuptonte rrumpallën. Rrumpalla ishte e shprehur më së miri, ndoshta, në një nga ato kartolinat që mund të blesh në Amsterdam e, në të cilat vizatimi i një huligani të rrahur dhe gjakosur thotë: “Na shkelmuan, rrahën, goditën dhe kafshuan. U dehëm aq shumë sa vollëm mbi veten. Na arrestuan. Nuk e dimë as kush fitoi. Por bëmë qejf”. Berisha, dikur i parapëlqyeri i Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, i përdori zgjedhjet vendore si tribunë për rikthimin politik të tij dhe Partisë Demokratike pas dorëheqjes turpëruese si president në korrik të 1997-ës. Berisha u detyrua ta lërë zyrën pasi socialistët morën Parlamentin. Ai dhe Partia Demokratike u rrëzuan pas kolapsit të ekonomisë dhe anarkisë që pasoi. Pesë firma mashtruese investimesh që grumbulluan miliona dollarë me anë përqindjesh të larta, falimentuan. Kolapsi i piramidave të cilat u vodhën shqiptarëve të varfër miliona dollarë të fituar dhe kursyer me mund, sollën valë anarkie dhe dhune në krejt vendin. Më shumë se një milion armë u grabitën nga depot dhe dy mijë njerëz u vranë. Berisha ishte një i mundur, por një kokëfortë, gjithashtu. Ai vinte nga një kulturë ku qëndrueshmëria ishte mënyrë të jetuari. Menjëherë pas humbjes, ai dhe shpura e cunguar e mbështetësve të tij u rigrupuan. Ata, vazhdimisht, organizuan demonstrata kundër qeverisë socialiste që u kishte zënë vendin duke e mbushur sheshin Skënderbej në Tiranë me kundërshtarë, militantë partiakë të papunë dhe turma të transportuara nga Shqipëria Veriore, të gjithë duke u betuar për rikthimin në pushtet dhe ndëshkimin e atyre që i kishin flakur jashtë. Sali Berishës, tashmë 56 vjeçar, i nevojitej fitorja në tetor të vitit 2000; ai kishte nevojë që demokratët të fitonin sa më shumë bashki e komuna të mundnin për ta përdorur këtë si gur shkalle për rimarrjen e parlamentit dhe qeverisë. Tirana ishte më e rëndësishmja e të gjitha bashkive. Berisha dinte si t’i personalizonte gjërat, metodë e cila funksionoi për të në fillim kur ai la mjekësinë për politikën një dekadë më parë. Ai studioi për mjekësi dhe u bë kardiolog i suksesshëm para se të futej në arenën politike pas vdekjes së Enver Hoxhës. Megjithëse nuk ishte personalisht në garë, ai zhvilloi një fushatë si për veten. Por, ja ku u ndesh me Edi Ramën. Në një vend ku sulmet e ndyra nga kandidatët dhe partitë janë normale, shkalla e fyerjeve ishte aq bizare saqë monitoruesit e huaj të shqetësuar se dhuna do shpërthente dhe dëmtonte zgjedhjet, bënë thirrje për përmbajtje. Berisha, rregullisht, i quante kundërshtarët e tij vrasës, mafiozë dhe hajdutë, ndërsa socialistët vunë në pyetje stabilitetin mendor të Berishës. Rama, për të mos mbetur prapa, e quajti Berishën Doktor Rrumpalla dhe emri ngjiti. Ishte një bon mot perfekt, shigjeta në zemër që e gozhdoi Berishën në mur. Risolli kujtimet e rrëmujave të ’97-ës kur vendi u shkërmoq dhe kur Berisha ishte në krye të shtetit. “Sllobodan Milosheviçi është komunisti i fundit në Serbi dhe Doktor Rrumpalla është komunisti i fundit në Shqipëri,” tha Rama.
                                                      Peter Lucas

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›