E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat për hakmarrje, shpëton për fat shkodrani

Shkodër- Atentat për hakmarrje në mes të qytetit të Shkodrës, por i riu Bledar Dhampiri, objektiv i sulmit, ka shpëtuar për mrekulli.

Sipas policisë së Shkodrës, Izmir Shpuza nga fshati Shtoj është afruar dhe me një armë pistoletë ka qëlluar mbi Bledar Dhampirin, i cili ka mundur të ngrihet nga tryeza ku ndodhej, në trotuarin para lokalit dhe ka vrapuar në drejtim të qendrës së qytetit.

“Izmir Shpuza e ka ndjekur me vrap dhe e ka qëlluar dhe një herë rreth 50 m më tej, ndërsa Dhampiri vraponte në trotuar. Asnjeri nga plumbat nuk e ka kapur.”- thonë burimet e policisë, ndërkohë që efektivët blu, që kanë qenë fare pranë, kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë neutralizuar veprimet e autorit, duke e kapur atë në flagrancë së bashku me armën e krimit.

Më pas Dhampiri i pa dëmtuar është kthyer tek vendi ku u qëllua herën e parë dhe së bashku me dy të afërmit e tjerët të tij është shoqëruar në polici për të dhënë shpjegime. Sipas policisë, autori i ngjarjes, Izmir Shpuza është nipi i viktimës Hysni Shpuza, i vrarë në 6 shtator të këtoj viti, tek tregu i shitjes me shumicë të fruta-perimeve.

Vrasje për të cilën akuzohen dy nga vëlezërit e Bledar Dhampirit, Besmir Dhampiri i shpallur në kërkim dhe Ermal Dhampiri i cili ndodhet i arrestuar.

Një ditë më parë, Ermal Dhampiri ka patur seancë gjyqësore në gjykatën e Apelit në Shkodër, për zëvendësim mase sigurie. Gjykata ka vendosur që ai të vazhdojë të qëndrojë në burg dhe kjo ka ngjallur reagim të familjarëve të tij.

Bledari, të cilin tentuan ta vrisnin sot ka akuzuar policinë e prokurorinë për arrestimin e Ermal Dhampirit, duke pretenduar se ai nuk kishte marrë pjesë në vrasjen e HysniShpuzës, vrasje kjo e bëeë nga vëllai tjetër i tij, Besmiri i cili është i shpallur në kërkim.

Historia e hasmërisë mes dy fiseve Dhampiri e Shpuza, që banojnë në fshatin Shtoj të Shkodrës ka nisur rreth 3 vjet më parë dhe lidhet me refuzimin që i bënte familja Shpuza kërkesës së familjes Dhampiri për t’u fejuar me vajzën e Hysni Shpuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›