Ekonomia, PS: Renditemi pas vendeve afrikane
Tiranë- Ekonomi jo konkurruese, aspak e shëndetshme dhe pas shteteve si Nigeri, Ghane apo Benin. Me këto fjalë e ka përmbledhur situatën ekonomike në vend, nënsekretari për programin në PS, Ervin Bushati, sot gjatë një deklarate për shtyp, përkundër entiziazmit të kreut të qeverisë, në vizitën e tij të fundit jashtë realitetit shqiptar.
“Sot bëjmë publik opinionin zyrtar të Forumit Ekonomik Botëror, që është tërësisht ndryshe nga ajo që deklaron kryeministri shqiptar nga Stambolli. Ekonomia shqiptare konkuron pas standardeve Afrikane duke u renditur në vendin e 108 nga 134 vende në klasifikimin e këtij Forumi. Në renditjen e fundit që doli vetëm disa ditë më parë nga ky forum, ekonomia e Shqipërisë, e krahasuar me vitin e kaluar, ka rënë dhe dy vende të tjera në tabelën klasifikuese”- tha ai, duke iu referuar shifrave.
Sipas tij, përsëri, nën këtë qeverisje, gjendja e mjeruar ekonomisë dhe infranstrukturës në ndihmë të saj, bën dhe më të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar sot: vështirësi ekonomike që rëndojnë me çmime më të larta dhe të ardhura më të ulëta për çdo familje, që përpiqet të kalojë muajin dhe të sigurojë ushqimin e nevojshëm.
Përballë kësaj situate të pashpresë, ai ka kujtuar programin e ri të Partisë Socialiste, që ka në qendër të tij kushte të favorshme për një ekonomi të shëndetshme dhe të garantuar, për të përmirësuar jetën e qytetarëve.