E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat shefit të sigurisë së Burgut të Fushë-Krujës

Tiranë, plagoset Albert Kryemadhi, me uniformë kur u qëllua me armë.

Dy persona me motor dhe skafandra në kokë tentuan të vrasin dje në Tiranë një punonjës policie me detyrë shef i sigurisë së Burgut të Fushë-Krujës. Polici u godit fillimisht me motor dhe më pas ndaj tij u qëllua tri herë me pistoletë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në rrugën Irfan Tomini, pranë shkollës 26 Nëntori në Tiranë. Punonjësi i Policisë së Burgjeve, Albert Kryemadhi, 50 vjeç, sa ishte kthyer nga Burgu i Fushë-Krujës, ku ushtronte detyrën e shefit të sigurimit të zakonshëm dhe ende e mbante veshur uniformën e policisë kur u qëllua me armë zjarri. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se fatmirësisht vetëm një nga plumbat e ka goditur në pjesën e barkut. Oficeri 50-vjeçar vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën, pasi i janë dëmtuar tetë organe. Në kohën që ai është qëlluar me armë zjarri, sapo ishte ndarë nga dy kolegë të tij, me të cilët kishte udhëtuar nga Fushë-Kruja në Tiranë, ndërsa ishte drejtuar për të marrë vajzën e vogël nga kopshti e më pas të shkonte në shtëpi. Por vetëm pak minuta pasi është ndarë nga dy kolegët, disa metra larg shkollës 26 Nëntori, në lagjen e Selitës në Tiranë, Kryemadhi është përplasur nga një motor. Më pas, një nga personat që ndodhej mbi motor, i cili kishte skafandër në kokë, ka nxjerrë një pistoletë nga brezi dhe e ka qëlluar tri herë. I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, oficeri ka marrë një plumb në bark dhe aktualisht është shtruar në reanimacion, në terapi intensive. Oficerët e seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit, si dhe ata të Komisariatit Nr. 2 bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe shoqëruan disa dëshmitarë të ngjarjes. Burime nga grupi hetimor thanë dje se nga verifikimet paraprake, në rrethin e tij miqësor e familjar rezulton që Kryemadhi nuk kishte asnjë konflikt. Dyshimet kryesore për atentatin ndaj tij, pasi sipas Policisë ngjarja është e paramenduar, lidhen me ndonjë konflikt që ai mund të ketë pasur me kolegë apo të dënuar në Burgun e Fushë-Krujës.

DESHMITARET
Vendi ku ndodhi plagosja e oficerit të Policisë së Burgjeve, Albert Kryemadhi, ka qenë e populluar në orarin kur ndodhi ngjarja. Dhjetëra dëshmitarë që kanë arritur të shohin skenën e krimit, madje disa prej tyre edhe fëmijë që sapo kishin dalë nga shkolla që ndodhej aty pranë. Sipas dëshmitarëve, oficeri i veshur me uniformë është përplasur fillimisht nga dy djem me motor, që kishin skafandra në kokë. Të gjithë kanë menduar se ishte thjesht një aksident. Më pas kanë dëgjuar tre të shtëna dhe një prej djemve e ka futur pistoletën në brez dhe motori është larguar me shpejtësi. Dëshmitarët thonë se nuk kanë arritur tua shohin fytyrat e autorëve.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›