Pranvera Kulturore Greke, 10 ditë në Tiranë
Në vend të ca koktejeve apo mbrëmjeve me të ftuar, ata kanë vendosur që festën kombëtare ta celebrojnë me një kalendar aktivitetesh kulturore. Në fund të fundit, kjo është edhe një mënyrë më e mirë për të njohur njëri-tjetrin. E kanë titulluar Pranverë e kulturës greke në Shqipëri, e synojnë të tërheqin interesin e sa më shumë njerëzve, duke përfshirë në këtë stinë kulturore aktivitete që lidhen me gjuhën, librin, pikturën, muzikën, fotografinë, kinematografinë. Për të prezantuar këto aktivitete, që do të marrin jetë më datën 19 mars, deri më 1 prill, ambasadori grek në Tiranë, Nikolaos Pazios, zhvilloi dje në rezidencën e tij një takim me mediat. Programi i Pranverës greke do të hapet më 19 mars, me ekspozitën Greqia me sytë e piktorëve shqiptarë, ku marrin pjesë një grup piktorësh të njohur, që sipas Pazios, trajtojnë në tablotë e tyre tema nga Greqia. Mes tyre mund të përmendim emra si Gazmend Leka, Naxhi Bakalli, Vladimir Myrtezai, Josif Droboniku, Stefan Taçi etj. Më tej do të vijojë ekspozita Libri: Urë e kulturave. Sipas Pazios, ekziston një mungesë njohurie në lëmin e botimeve si në Greqi, ashtu dhe në Shqipëri për letërsitë reciproke, dhe kjo ekspozitë do të shërbejë për njohjen më të mirë të autorëve modernë. Një koncert për piano dhe flaut do të vijojë në sallën e Universitetit të Arteve. Përgjatë dy ditëve, në Akademinë e Shkencave do të zhvillohet konferenca shkencore Studime gjuhësore dhe kulturore greko-shqiptare, ndërsa fotografi Roland Tasho do të hapë ekspozitën mbi emigracionin shqiptar në vendin fqinj. Deri në datën 1 prill do të vijojnë edhe të tjera aktivitete, si shfaqje filmash, konferenca mbi ekonominë etj.