Pagarusha ndalon videoklipin e Bareshës
Edhe pse ka pritur 50 vjet për të parë videoklipin e kryehitit Baresha, këngëtarja e madhe kosovare nuk e ka lejuar më shumë se dy muaj transmetimin e tij. Sipas mediave të Kosovës, këngëtarja Nexhmije Pagarusha ka trokitur në dyert e televizioneve kosovare për të kërkuar që të mos transmetohet videoklipi i këngës së saj Baresha, i cili u shfaq për herë të parë në datën 10 janar të këtij viti. Videoklipi i këngës Baresha është realizuar nga Kooperativa, me iniciativë të Muzeut të Kosovës dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës. Kam shkuar në televizione, kam kërkuar që të mos transmetohet dhe kanë pasur mirëkuptim, ka thënë Pagarusha, pa pranuar të zbulojë arsyet e kësaj kërkese. Arsyet nuk mund ti jap tani, është përgjigjur shkurt ajo. Yll Çitakun, regjisorin e videoklipit Baresha, ky lajm e ka zënë në befasi. Skenari dhe regjia e videoklipit janë bërë nga Yll Çitaku dhe Arian Rexhepi. Gjithashtu ka qenë një ekip i gjerë artistësh të angazhuar në projekt, siç janë Trupa e Baletit të Kosovës, Krenare Rugova, Rudina Xhaferi e shumë të tjerë. Xhirimet, të cilat kanë zgjatur rreth dy muaj, janë realizuar në Bjeshkët e Namuna, në Prizren dhe në Lipjan.