Dinamo e dyta,Shkumbini fundos Partizanin
Katër ndeshjet e para të javës së nëntë të Kategorisë Superiore të luajtura dje, sollën një ngjeshje të renditjes në vendet e para, ndërsa nuk rezervuan asnjë lëvizje në pjesën e dytë të tabelës. Kështu, Dinamo arriti të fitonte në Fier ndaj Apolonisë, duke u pozicionuar në vendin e dytë me vetëm dy pikë larg Tiranës. Dinamo duket se tashmë është tërësisht mbi “shinat taktike” të vendosura nga trajneri kroat, Zlatko Daliç, duke siguruar fitoren e dytë në transfertë dhe të katërtën në nëntë javë. Sulmuesi Fatjon Sefa e shleu besimin e trajnerit në të parën ndeshje si titullar, duke shënuar golin e parë të bluve në minutën e 14-të dhe të parin e tij sezonal. Në minutën e 50-të, Artion Poçi vulosi fitoren e tretë me diferencë dy golash të Dinamos, pas atyre me Shkumbinin (3-1) e Partizanin (2-0). Për Apoloninë, që nuk fiton prej katër javësh kjo ishte humbja e pestë sezonale e 32-ta ndaj Dinamos në 56 ndeshje historike.
Partizani-Shkumbini 0-2
Debutim i hidhur për Shpëtim Duron në premierën me skuadrën e kuqe përballë Shkumbinit (0-2) në javën e 9-të të Superiores, duke zbehur totalisht atë fitore tenistike 5-1 në Kupën e Shqipërisë me Tepelenën vetëm tri ditë më parë. Tiranasi Erion Rizvanolli (31’, asist i Norës nga goditja e këndit) dhe gjirokastriti Arlind Nora (52’) i dhuruan fitoren e parë Shkumbinit në transfertë, duke fundosur të kuqtë në vendin fundit, në atë që konsiderohej nga të gjithë si ndeshja e kthesës për 15-herë kampionët, ndaj të cilit skuadra e Gugash Maganit mund të fitonte edhe më thellë, njëlloj sikur të luante në Peqin e jo në “Qemal Stafa”. Nora shënoi golin e 40-të Shkumbinit ndaj Partizanit në 35 ndeshje të peqinasve kundër skuadrës së kuqe. Sërish Partizani nuk arriti të fitojë për herë të katërt në shtëpi, duke regjistruar një bilanc të errët me tre humbje e vetëm një pikë të grumbulluar nga 12 të mundshmet.
Vllaznia-Elbasani
2-0
Me nga një gol në çdo pjesë loje, Vllaznia bëri autokritikën më të mirë përpara publikut të saj, duke mposhtur 2-0 në “Loro Boriçi” Elbasanin në ndeshjen e 125-të historike midis tyre. Rigjetja e tre pikëve pas tre ndeshjeve pa fitore mban firmat e 3-herë golashënuesit më të mirë të Shqipërisë, Vioresin Sinanit (15’) dhe të ish-lojtarit të Partizanit, Paulin Dhëmbi (55’). Te formacioni kuqeblu i trajnerit Agim Canaj (4 fitore në 9 ndeshje), duket sa ka një garë brenda familjes, pasi si shkodrani Sinani ashtu dhe korçari Dhembi kanë realizuar nga 5 gola secili dhe së bashku 10 nga 11 golat e shënuar nga Vllaznia.
Flamurtari-Bylis 0-0
Ndonëse e mbajti ekipin për gati një javë në një “regjim kazerme” e “heshtje shtypi”, Flamurtari nuk ia doli të marrë tri pikët e programuar me Bylisin, duke barazuar pa gola në ndeshjen e 100-të jubilare të ekipit ballshiot nga fillimi i vitit 2000. Pozitat e Slavko Kovaçiçit janë tërësisht të rrezikuara, dhe ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç, mund të shndërrohet në teknikun e pestë të shkarkuar në këtë fillimsezoni dhe të parin nga tre krotët që largohet nga Shqipëria.