E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Hani zhgënjehet nga niveli i kampionatit

 

Ka vendosur të shohë nga afër një ndeshje të kampionatit shqiptar, por ka mbetur tepër i zhgënjyer nga niveli i ndeshjes Partizani-Shkumbini 0-2. Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare nuk e ka fshehur zhgënjimin nga takimi i djeshëm në “Qemal Stafa”, madje burime pranë teknikut kanë bërë të ditur se ai është mërzitur tej mase gjatë ndeshjes. Holandezi ka mbetur i pakënaqur edhe nga disa prej lojtarëve që i interesonin. Ai ka evituar të bëjë komente të drejtpërdrejta për ndeshjen, por i lexohej qartë në fytyrë se shpresonte që në ndeshjen Tirana-Besa, të cilën do ta shohë sot, të mos mërzitet aq shumë sa dje.
Vëzhgimi
Ari Han ka pohuar se qëllimi kryesor i vizitës së tij është të vëzhgojë disa nga lojtarët më të spikatur të kampionatit shqiptar, por edhe futbollistët që bëjnë pjesë tashmë në ekipin kombëtar. Megjithatë tekniku holandez nuk ka dashur të përmendë emra. “Janë disa lojtarë të rinj për t’u parë nga ata që kanë qenë më afër nesh, sidomos në grumbullime apo stërvitje. Të shohim çfarë do të bëjnë. Muzaka? Nuk dua të flas për emra”, ka deklaruar tekniku.
Sadrijaj
Kohët e fundit është folur shumë për afrimin e dy futbollistëve kosovarë që luajnë në Bundesligën 1: Mbrojtësin Mërgim Mavrajn (Bohum) dhe mesfushorin Bajram Sadrijaj (Borusia Dortmund). Ari Han ka pranuar interesimin për këta dy futbollistë, por për Sadrijajn është shprehur: “E kam parë nga afër, por ai nuk luan shumë atje. Është e vështirë të flasësh për dikë që nuk e ke parë disa herë. Ai nuk është shpesh në 11-she dhe kjo e bën të vështirë ta ndjekësh. Gjithsesi, është detyra ime të shoh ku janë lojtarët, për t’u dhënë më pas edhe shansin”. Trajneri i është rikthyer sërish suksesit të Shqipërisë ndaj Portugalisë, më 15 tetor në Bragë, ku kuqezinjtë e drejtuar prej tij arritën të merrnin një barazim të artë 0-0. “Kemi bërë një punë të mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë. Rezultatet janë aty, janë marrë tashmë, por gjithsesi unë mendoj se kemi shumë punë për të bërë. Megjithatë, detyra jonë është që të përpiqemi ta bëjmë edhe këtë ritëm. Portugalia? Ishte një ndeshje e mirë. Mendoj se bëmë një punë të mirë, pasi edhe lojtarët ishin mirë nga mendja dhe luftuan shumë. Madje, them se bënë një punë fantastike”, është shprehur trajneri i Kombëtares.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›