E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat tre të rinjve durrsakë, hetohet pista e hakmarrjes

Tre të aksidentuarit kanë pasur edhe plagë me armë në trup dhe shenjat janë gjetur edhe në makinën me të cilën udhëtonin

DURRËS Tre të rinjtë nga qyteti i Durrësit që u aksidentuan mbrëmjen e së shtunës, duke u kthyer nga Kavaja, janë në gjendje të rëndë për jetën. Burime nga spitali i Durrësit kanë bërë të ditur se Erald Mustafa 26 vjeç, Redion Balliu 26 vjeç dhe Fjoralba Fetaliu 20 vjeç, ndodhen në gjendje kritike në sallën e reanimacionit. Tre të rinjtë kanë qenë duke udhëtuar me një autoveturë me targa të huaja, kur mjeti ka dalë nga rruga në kohën që ishte duke udhëtuar nga Kavaja drejt Durrësit. Burime të komisariatit të policisë së Kavajës kanë deklaruar se ngjarja ka shumë mundësi që të ketë në sfond hakmarrjen, pasi mjeti është provokuar për të dalë nga rruga, ndërsa më pas ata janë qëlluar disa herë me armë zjarri.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.00 në aksin rrugor Kavajë-Durrës. Burimet e policisë së Kavajës kanë bërë të ditur se tre personat e mësipërm kanë qenë duke udhëtuar me mjetin tip Volksvagen Golf me targa gjermane DVWAX 111. Në kohën që ata sapo kanë lënë Kavajën dhe kanë hyrë në rrugën nacionale, në afërsi të fshatit Qerret, janë goditur nga pas. Autovetura ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore. Më pas drejt tyre është qëlluar disa herë më armë zjarri. Atentatorët që kanë marrë pjesë në këtë skenar për eliminimin e personave që ndodheshin në mjetin e mësipërm, janë larguar, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit. Efektiva të shumtë policie kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të rinjtë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal në Durrës. Në repartin e pranimit mjekët kanë konstatuar menjëherë plagët e shkaktuara nga armët e zjarrit si dhe frakturat nga përplasja e mjetit. Sipas burimeve spitalore, 20-vjeçarja Fjoralba Fetaliu është plagosur në këmbë si dhe në kurriz, në afërsi të shtyllës kurrizore. Dy djemtë që ndodheshin me të në makinë kanë marrë plagë nga armët e zjarrit në kokë dhe trup. Që të dy, Erald Mustafa dhe Redion Balliu, janë aktualisht në gjendje kome. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se 20-vjeçarja ka mundur të përmendet duke dhënë disa hollësi për policinë për rrethanat se si është shkaktuar aksidenti, dalja e makinës dhe të shtënat. Në urgjencën e spitalit ka pasur shumë persona që janë interesuar për shëndetin e tre të rinjve, madje për shkak të tensionit ka pasur edhe dhunim të ambienteve të brendshme të dyerve dhe vetratave ndarëse të ambienteve ku qëndrojnë pacientët dhe mjekët.

Hetimi

Burimet policore kanë deklaruar se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të konflikteve të vjetra që kanë pasur dy personat e vënë në shënjestër me persona të tjerë. Policia e Kavajës në bashkëpunim me atë të Durrësit është duke hetuar rreth pistës së hakmarrjes, pasi 26-vjeçari Erald Mustafa mësohet se ka qenë person i shpallur në kërkim nga drejtoria e policisë së Durrësit për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë. Edhe shoku i tij Redion Balliu, mësohet se ka një CV të ngjashme dhe kjo është arsyeja që atyre u është bërë atentat në një kohë që ka pasur pak lëvizje në aksion nacional Durrës-Rrogozhinë. Asgjë nuk dihet, se kush e ka shkaktuar këtë atentat dhe sa kanë qenë personat që kanë marrë pjesë. Policia e Kavajës ka qenë tepër e rezervuar në lidhje me provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes dhe rreth shenjave që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të saj.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›