E Diel, 1 Nëntor 2026

Kthehet në kufi 71-vjeçarja çame: Ja si më diskriminuar grekët

Reagon edhe PDIU, që ka kërkuar reagimin e shtetit pas kthimit të tre shtetasve të tjerë në kufi me shtetin helen

VLORË Një 71-vjeçare nga qyteti i Vlorës nuk është lejuar të kalojë kufirin në pikën e kalimit të Kakavijes, pasi e kishte vendlindjen Çamëri. Me të mbërritur në qytetin e Vlorës, Sulltane Bajrami ka denoncuar këtë fakt, pasi nuk ka mundur dot të kalojë në tokën helene. Sipas dëshmisë së gruas, ajo ishte nisur për në Greqi për të vizituar djalin e sëmurë, por pa mundur dot ta përfundojë udhëtimin e saj, pasi ka hasur në rezistencën e policisë greke që nuk i ka njohur dokumentacionin. 71-vjeçarja shprehet më tej se policia greke përveç faktit që nuk respektoi dokumentet amerikane, pasi ajo dispononte një Green Card në debat e sipër i kanë deklaruar madje se “Çamëria është e Greqisë”. “U nisa në datë 23 për në Greqi. U futëm në doganën Shqiptare, morëm vulat, zbritëm sipas numrit që foli shoferi. Kur kam shkuar në sportel, polici grek u habit dhe tha, ju jeni çame, e keni vënë vendlindjen Luarak, Çamëri, por Çamëria është e Greqisë, më tha polici dhe nuk është e Shqipërisë”,- u shpreh 71-vjeçarja. E moshuara me banim në Vlorë shprehet se ajo edhe pse disponon Green Card Amerikane, kjo nuk i ka vlejtur të kapërcejë kufirin dhe të shkelë tokën greke pasi autoritetet greke kanë lexuar në pasaportën e saj, vendlindja Çamëri.

Më tej gruaja rrëfen se “i thashë nuk jam raciste, ti je racist, unë e kam për nder që jam çame, ti më jep vizën të shkoj te djali që e kam sëmurë. Më pas i tregova Green Card Amerikane, për të cilën më tha ta përdorja në Amerikë dhe ika, pastaj, zbrita nga autobusi”, tregoi ajo. Sulltane Bajrami shprehet e indinjuar për këtë pengesë, duke i bërë apel shtetit shqiptar të mos lejojë këto padrejtësi që bëhen në kufi nga policia greke.

Reagimi

Sipas një njoftimi për shtyp të PDIU, mësohet se dy ditët e fundit në kufirin shqiptaro-grek janë kthyer tre shtetas shqiptarë, me dokumentacion të rregullt, vetëm dhe vetëm pse kanë lindur në Çamëri. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet denoncon rastet e kthimit në kufi të Avdul Sulejmanit, lindur në Varfanj të Gumenicës në vitin 1933; Myfit Rakipit, lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935; dhe Sulltane Bajramit, lindur në vitin 1940.

Myfit Rakipi dhe Avdul Sulejmani, i cili ka qenë për vite me radhë kryetar i shoqatës Çamëria për Durrësin dhe nënkryetar i përgjithshëm i saj, janë kthyer dje paradite në pikëkalimin kufitar të Qafë Botës. Ata kishin të gjitha dokumentet e kërkuara nga udhëzimi i Bashkimit Europian, përfshi edhe një shumë të mjaftueshme të hollash. Pasi u është konfirmuar se kanë të drejtë të hyjnë në Greqi, oficerët grekë kanë vërejtur se vendlindja e tyre ishte përkatësisht Sklavë dhe Varfanj, dy fshatra të Çamërisë dhe i kanë kthyer”, ka deklaruar drejtori i marrëdhënieve me publikun në këtë parti, Ardit Bido.

Sulltane Bajrami është kthyer në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Sipas tij, Bajrami ka leje qëndrimi afatgjatë në SHBA, duke qenë mbajtëse e Green Card, që sipas legjislacionit grek lejon hyrjen në Greqi. Oficerët e kufirit sapo kanë vërejtur vendlindjen e saj Çamëri nuk e kanë lejuar të kalojë kufirin. “Ne shpresojmë që këto incidente të mos jenë një politikë shtetërore në vendin fqinj, për të mos lejuar shqiptarët që kanë lindur në Çamëri dhe që janë dëbuar me anë të gjenocidit dhe spastrimit etnik të vizitojnë shtetin grek. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i bën thirrje ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Edmond Haxhinasto dhe Trupit Diplomatik shqiptar që të reagojnë ndaj këtyre rasteve dhe t’i japin fund heshtjes kur shkelen të drejtat e qytetarëve shqiptarë. PDIU i bën thirrje shtetit grek që të ndryshojë qëndrimin e vet dhe të përqafojë parimet e organizmit në të cilin bën pjesë, Bashkimit Europian. Veprime të tilla janë të patolerueshme për një shtet europian. Situata të tilla nuk duhet të përsëriten më. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet rikonfirmon qëllimin e saj për një vizitë turistike në Çamëri me të gjithë të moshuarit që kanë lindur në ato troje, sipas të gjitha rregullave në fuqi” ka vijuar ai.

Sipas tij, në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendës.

Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›