Ndalohen policët e rremë, do grabisnin pikën e karburantit
PËRMET Efektivat e policisë së Përmetit në bashkëpunim me kolegët e tyre të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë ndaluar dy persona, të dyshuar se kanë tentuar të grabisin me dhunë një pikë karburanti në rrugën kombëtare Këlcyrë-Përmet. Madje njeri prej grabitësve për t’u maskuar ka qenë i veshur me uniformë policie.
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, 30-vjeçari Enerik Serani, lindur dhe banues në Këlcyrë, Përmet, si dhe bashkëqytetari i tij Rigert Isufaj, 22 vjeç, janë ndaluar nga policia për veprën penale të “vjedhje, kryer në bashkëpunim”.
Orët e para të mëngjesit, në Sallën Operative të Komisariatit të Përmetit ka mbërritur një telefonatë sipas së cilës dy persona kanë tentuar të vjedhin me dhunë lokalin dhe karburantin në pronësi të shtetasit me inicialet G.N., nga Këlcyra. Menjëherë në drejtim të vendngjarjes për të cilën bënte fjalë telefonata, kanë udhëtuar efektiva të policisë së Përmetit, të mbështetura edhe nga shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Pas veprimeve të para hetimore të kryera në vendngjarje si dhe deklarimeve të dhëna nga roja i karburantit, grupi hetimor ka konstatuar se orët e para të mëngjesit dy persona njëri prej të cilëve i veshur me një uniformë policie të vjetër, dhe tjetri me një daltë dhe një thikë në dorë, kanë tentuar të shpërthejnë derën e pasme të lokalit, për të vjedhur lekët e xhiros së lokalit dhe të shitjes së karburantit që ndodheshin në arkën e lokalit, që është ngjitur me karburantin, pronë e shtetasit G.N., nga Këlcyra. “Në këto momente unë dëgjova zhurmë në pjesën e pasme të karburantit dhe pasi nxitova për aty vura re se dy persona kishin prishur bravën e derës”, i ka pohuar roja i karburantit policisë. Roja i lokalit është përleshur fizikisht me të dy grabitësit. “Falë ndërhyrjes në kohë dhe fizikut të tij, ai ka bërë të mundur që të dy personat të largoheshin pa vjedhur gjë, duke thyer vetëm xhamat e vitrinës së lokalit gjatë konfrontimit fizik me rojen”, thonë burime në grupin hetimor. Në këtë situatë, specialistët e Parandalimit dhe të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Policisë së Rendit, kanë organizuar punën për zbulimin e autorëve të kësaj vjedhje. Madje duke qenë se bëhej fjalë për një grabitje me dhunë, në ndihmë të forcave të policisë së Komisariatit të Përmetit janë nisur edhe forca të tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër të kryesuara nga drejtuesit e saj. Për ndalimin e të dy grabitësve të dyshuar përgjatë rrugës kombëtare Gjirokastër-Përmet-Çarshovë janë ngritur postblloqe policie. Për gati 13 orë efektivat e policisë kanë kontrolluar imtësisht zonën pranë karburantit për ndalimin e të dy grabitësve. Specialistët e Parandalimit dhe Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Përmet në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kanë bërë të mundur që të zbulojnë vendin ku fshiheshin dy të dyshuarit për këtë ngjarje si dhe ndalimin e tyre. Mbi E. Seranin dhe R. Isufajn rëndon akuza për veprën penale “vjedhje, kryer në bashkëpunim”. B.SH.