E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirimi i turkut të heroinës shkon në Gjykatë të Lartë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-04-2011 14:54

Tiranë Prokuroria e Apelit ka kundërshtuar lirimin e shtetasit turk, Abdulselam Turgut, i cili kërkohej nga drejtësia gjermane për trafik ndërkombëtar heroine. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj të kërkuarit turk, prokuroria ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës së Lartë, e cila ka pranuar të marrë në shqyrtim këtë kërkesë. Çështja që ka si objekt rivendosjen e masës së sigurimit “arrest me burg” ndaj Abdulselam Turgut, i cili i është nënshtruar shortit elektronik, ku është përcaktuar relatori i çështjes, ora dha data kur do të shqyrtohet kjo kërkesë. Sipas Gjykatës së Lartë, çështja në fjalë ka si relator gjyqtarin Aleksandër Muskaj, i cili do të paraqesë para kolegjit penal kërkesën e prokurorisë më datën 28 prill, rreth orës 12:50. Dosja me nr. 00347/11, sipas prokurorisë synon të kthejë në qeli Abdulselam Turgut, i cili tashmë rezulton person në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Apelit, që vendosi ndryshimin e masës së sigurimit ndaj tij. Mangësitë në dokumentacionin e paraqitur në Gjykatë, duket se janë plotësuar tashmë nga prokuroria, e cila ka në dispozicion në cilësinë e provës edhe kërkesën për ekstradimin e të kërkuarit në Gjermani. Kërkesa e autoriteteve gjermane ka mbërritur në Shqipëri pak ditë më parë dhe pritet të vihet në dispozicion të kolegjit penal, që do të marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë për rikthimin në qeli të Turgut. Proceduralisht, kjo kërkesë ka karakter thjesht formal, pasi shtetasi turk rezulton të jetë shpallur në kërkim policor, pasi nuk u gjend në banesën e marrë me qira pranë Kthesës së Kamzës, në periferi të Tiranës. Kjo adresë zyrtare, e cilësuar edhe në vendimin e Gjykatës së Apelit, duket se ka shkaktuar jo pak konfuzion dhe telashe për oficerët e policisë, të ngarkuar për gjetjen e banesës së marrë me qira nga Abdulselam Turgut. Vetëm një ditë pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, që vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj shtetasit turk, efektivë të shumtë policie nisën kërkimet në zonën e Kthesës së Kamzës, duke kërkuar një pallat 8-katësht, të deklaruar si adresë zyrtare nga Turgut. Përpjekjet e policisë dështuan ditën e parë të kërkimeve, ndërsa vetëm të nesërmen, agjentët e dërguar në terren thanë se Abdulselam Turgut nuk gjendej në banesën e tij. Menjëherë policia shpalli në kërkim policor shtetasin turk, ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë dërgoi një ekip kontrolli pranë Gjykatës së Apelit, për të kontrolluar vendimin e lirimit të të kërkuarit nga drejtësia gjermane. Rezultatet e këtij inspektimi ende nuk janë bërë publike, ndërsa procesi gjyqësor që do të zhvillohet pas pak ditësh në Gjykatën e Lartë mbetet thjesht formal, pasi nuk dihet vendndodhja e Abdulselam Turgut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›