E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: Burg pa afat "policit" të Aldo Bares

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vendosi dje të njohë dhe të zbatojë masën e sigurisë "arrest me burg" për Arjan Aliçon, të akuzuarin si anëtar të "bandës së Lushnjës". I arrestuar pak ditë më parë, Aliço është paraqitur dje përpara togave të zeza të Krimeve të Rënda. Aliço, i cili deri të martën gjykohej në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda është njohur me akuzat e ngritura nga Prokuroria për të. Prokurori i çështjes ka kërkuar dje zbatimin e masës "arrest me burg" për Aliçon, ndërsa avokati i tij mbrojtës ka kërkuar një masë më të lehtë. Pas njohjes me pretendimet e palëve trupa gjykuese ka vendosur që Aliço të qëndrojë në qeli, duke zbatuar kështu masën e sigurisë "arrest me burg" të nxjerrë në mungesë nga kjo gjykatë për Aliçon më 21 prill të vitit 2006. Arrestimi i Aliços u bë i mundur mesnatën e së martës nga operacioni policor "I fundit", pjesë e operacionit "Laguna", që vuri në pranga anëtarët e bandës së Aldo Bares. Arrestimi i tij u bë në një ndërtesë në kryeqytet, ku ai qëndronte me qira. Sipas policisë, ka qenë mbajtja në survejim për një kohë shumë të gjatë e të dashurës së Aliços, ajo që ka çuar uniformat blu në banesën ku strehohej ky i fundit. Bëhet e ditur se Aliço ka qenë një ndër "ushtarët" më besnikë të Aldo Bares. Aliço akuzohet për veprat penale "pjesëmarrje në organizatë kriminale", "kryerje e veprave penale nga organizata kriminale", "vjedhje me dhunë" dhe "dhunimi i varreve", vepra penale të parashikuara nga nenet 118, 139, 333 dhe 334 të Kodit Penal. Pas vendimit të djeshëm, Aliços do t'i duhet të paraqitet në gjykatë në seancat gjyqësore në ngarkim të "bandës së Lushnjës".                                                                             ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›