PAD e Neritan Cekës del në koalicion me Berishën
Partia Aleanca Demokratike e Neritan Cekës do të dalë në zgjedhje bashkë me Partinë Demokratike. Kjo u bë e ditur dje gjatë një takimi mes kryeministrit, Sali Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me Neritan Cekën, kryetar i Partisë Aleanca Demokratike, zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë.
“Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm elektoral mes dy forcave politike. Kryetari i PDSH, Berisha, dhe ai i PAD, Ceka, dolën në përfundimin që në zgjedhjet e qershorit 2009 këto dy forca politike do të paraqiten si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit.
Të dy personalitetet politike theksuan se kjo erdhi si një domosdoshmëri që buroi nga qëllimet dhe programet e përbashkëta të këtyre dy forcave politike. Ky takim u zhvillua në mirëkuptim dhe bashkëpunim të plotë”, - thuhet në një njoftim zyrtar të Këshillit të Ministrave.
Ceka prej kohësh kishte shfaqur afrimitetin me Partinë Demokratike. Zgjedhja e tij si nënkryetar i Kuvendit pas largimit nga kjo detyrë e Fatos Bejës përforcoi më shumë këtë bindje.