E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miraton ndarjen e mandateve të deputetëve në bazë qarqesh

Nga L.Progni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje numrin e deputetëve për secilin qark të vendit bazuar në listat e zgjedhësve të paraqitura nga Drejtoria e Gjendjes Civile, pas procesit të pastrimit të tyre nga dublikimet. Sipas vendimit të KQZ, në qarkun e Beratit do të jenë 8 mandate deputetësh, në qarkun Dibër, 6 mandate, në qarkun Durrës, 13 mandate, në qarkun Elbasan, 14 mandate, në qarkun Fier, 16 mandate, në qarkun Gjirokastër, 5 mandate, në qarkun Korçë, 12 mandate, në qarkun Kukës, 4 mandate, në qarkun Lezhë, 7 mandate, në qarkun Shkodër, 11 mandate, në qarkun Tiranë, 32 mandate dhe në qarkun Vlorë, 12 mandate. Vendimi i KQZ i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ankimimi për këtë vendim mund t’i drejtohet kolegjit zgjedhor brenda afateve të parashikuara në ligj. Përgjatë mbledhjes së KQZ ka patur debate midis anëtarëve të KQZ, të zgjedhur nga opozita sa i përket çështjes së pastrimit të listave. Ata janë shprehur se është i dyshimtë procesi i pastrimit të listave nga dublikimet, pasi çështja e pastrimit të listave të zgjedhësve është vënë në qendër të debatit prej katër vitesh, dhe procesi mendohet të jetë kryer me urgjencë dhe pa korrektësinë e nevojshme, pasi, sipas përfaqësuesve të opozitës në këtë institucion, mbetet e dyshimtë se si në ditët e fundit gjendja civile raporton se procesi ka përfunduar. Sidoqoftë, KQZ ka dalë me një vendim zyrtar, miratimin e numrit të mandateve të deputetëve për çdo qark, bazuar në listën e zgjedhësve të paraqitur nga Drejtoria e Gjendjes Civile. “Numri total i shtetasve, 4.295.977, është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5, të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve), që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm”, - thuhet në njoftimin zyrtar të KQZ.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›