Kryetarët e gjykatave: Në rrezik zgjedhja e 4 anëtarëve të KLD-së
TIRANE - Ligji për Konferencën Gjyqësore, kryegjyqtarët shqiptarë dhe krerët e dy shoqatave të togave të zeza i drejtohen Presidentit Bamir Topi me rezolutë. Rezoluta e dalë pas takimit të kryegjyqtarëve i është drejtuar edhe Kuvendit, Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa gjykatësit iu drejtohen kreut të shtetit dhe tre institucioneve: "Kërkojmë të ushtroni autoritetin dhe kompetencat tuaja, duke shfrytëzuar maksimalisht mundë-sitë ligjore dhe kushtetuese për hartimin dhe miratimin, brenda një kohe sa më të shpejtë të jetë e mundur, të ligjit për organizimin dhe funksionimin e KGJK-së. Ne ofrojmë të gjithë disponibilitetin dhe përkushtimin tonë për të ndihmuar dhe për të kontribuar në procesin e ligjbërjes". Mbledhja, pas të cilës u bë publike rezoluta u zhvillua në Gjykatën e Lartë dy ditë më parë, në prani të përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare Euralius II, OPDAT dhe OSBE. "Me shfuqizimin nga Gjykata Kushtetuese të ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare, gjyqësori bëri një hap përpara kushtetueshmërisht në drejtim të pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të tij. Një nga kompetencat kryesore të KGJK-së është zgjedhja e nëntë anëtarëve të KLD-së, ndërsa vendosen afate kohore brenda të cilave duhet të plotësohen vendet vakant të krijuara. Konkretisht KLD-ja ndodhet përpara nevojës për të plotësuar katër vende anëtarësh, mandatet e të cilëve përfundojnë brenda pak javësh", thuhet në rezolutë, ku më tej shtohet se KGJK gjithashtu ndodhet përpara detyrimit kushtetues që të organizojë dhe të funksionojë në bazë dhe në zbatim të ligjit. "Pa cenuar standardet e procesit dhe cilësinë e ligjit nevojitet realizimi i tij në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur", përfundon rezoluta. f.m.