E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati, Zylfie Haklaj dënim 6 vjet pas krimit

• Vrasja e dy personave, në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllezërve të saj do i kushtojë çerek shekulli burg, Zylfie Haklajt.

Fatos Mahmutaj 

 Ky ishte vendimi Gjykatës së Tiranës dhënë dje për  vajzën e vogël të Muharrem Haklajt, të cilën togat e zeza e gjetën fajtore për "vrasje të dyfishtë me paramendim", "tentativë vrasjeje" dhe "armëmbajtje pa leje". Ndërsa nga bashkimi i të gjitha dënimeve u vendos që Haklaj të dënohej 25 vjet burg, të cilat duhet t'i vuajë pasi të arrestohet. Për koincidencë vendimi për Haklajn shpallet një ditë pas 6-vjetorit të kryerjes së krimit të rëndë në qendër të qytetit të Bajram Currit, i cili ka ndodhur mëngjesin e 2 prillit të vitit 2002. Po dje avokati mbrojtës i Haklajt, i kërkoi gjykatës pafajësi, duke pretenduar se Prokuroria nuk kishte mundur të sillte prova të mirëfillta në gjykim për të provuar fajësinë e klientes së tij. Pak minuta pas konkluzioneve të mbrojtjes, gjykata u tërhoq për vendim, të cilin e shpalli po dje, ndërsa pohoi se palët mund ta kenë të plotë atë pas pak ditësh.
Krimi
Në vendimin e djeshëm gjykata pohoi se krimi i rëndë ka ndodhur paraditen e 2 prillit të vitit 2002, në mjediset e lokalit "Ervin" në qendër të Bajram Currit. Zylfija, vajza e vogël e Muharrem Haklajt nga Kërrnaja e Tropojës, qëlloi mbi Lumneshin dhe Gosturanin, të cilët i akuzonte të përfshirë në vrasjen e vëllezërve të saj. Sipas gjykatës, paramendimi i të pandehurës Haklaj në kryerjen e krimit dukej nga fakti se ajo kishte dalë e armatosur nga shtëpia me automatik "Kallashnikov", të cilin e kishte fshehur poshtë palltos dhe ishte afruar në lokalin ku ndodheshin dy viktimat. Duke qenë e vendosur të hakmerrej për vrasjen e katër vëllezërve të saj, Fatmir, Halil, Ylli dhe Shkëlqim Haklaj, ajo qëllon në drejtim të Rasim Lumneshit, që e cilësonte si hasmin kryesor e që i kishte shkatërruar familjen. Në të njëjtin vend humbi jetën edhe Ilir Gosturani, ndërsa u plagosën Izet Dusha dhe Hysen Biberaj, që ndodheshin në tavolinë me ta.
"Shota"
Pas kësaj ngjarje vajza e Haklajve, e cila mundi t'i shpëtonte prangave të policisë pasi shteti i asaj kohe nuk kishte vendosur ende autoritetin në Tropojë, u largua nga vendngjarja dhe aktualisht emri i saj ndodhet në listën e personave në kërkim. Tashmë, publiku e njeh si "Shota e Haklajve", ndërsa avokati mbrojtës i saj pohoi dje se do e apelonte vendimin ndaj klientes së tij. Procesi për Zylfien nisi të zhvillohej në Gjykatën e Bajram Currit në vitin 2004, por për arsye sigurie u transferua në Tiranë. Pas hedhjes së shortit dosja iu dorëzua gjyqtarit Bledar Abdullai, i cili e shqyrtoi atë për tre vjet me radhë. Dy javë më parë organi i akuzës paraqiti konkluzionet përfundimtare duke kërkuar dënimin e të pandehurës me 25 vjet burg, ndërsa mbrojtja dje kërkoi pafajësi. Nga familjarët e të pandehurës, procesin në ngarkim të Haklajt e ndoqi vetëm motra e saj, Aishe Haklaj, e vetmja nga fëmijët e Muharrem Haklajt që nuk ka probleme me shtetin. Tashmë dy motrave u ka mbetur gjallë vetëm njëri vëlla, Hamdi Haklaj, i cili pak ditë më parë u lirua nga autoritetet suedeze, ku qëndroi disa muaj i arrestuar. Tashmë ai ndodhet në procedura për të fituar azilin politik në këtë shtet.

Hasmëritë vranë 4 vëllezërit Haklaj
TIRANE - Vrasjet e katër vëllezërve Haklaj, Shkëlqim, Fatmir, Halil dhe Ylli kanë nisur në vitin 1998 dhe më pas në vitin 2002 u vra edhe i fundit. Për vrasjen e tyre janë përdorur mina të telekomanduara, snajper si dhe janë organizuar prita të sofistikuara derisa u bë e mundur eliminimi i tyre. Shkak për krimet janë bërë hasmëritë e shumta që krijoi familja e tyre pas vitit 1997. Si pasojë e tyre, veç katër djemve të Muharrem Haklajt kanë humbur jetën edhe 10 anëtarë të tjerë të këtij fisi duke përfshirë edhe persona të afërt. Ndërsa në verë të vitit 2005 hasmet e shumtë të Haklajve fillimisht dogjën dhe më pas rrafshuan përtokë kullën dy shekullore të kësaj familjeje në fshatin Kërrnajë. Aktualisht, të mbeturit gjallë nga kjo familje jetojnë jashtë vendit, mendohet në Suedi, ku dhe u arrestua djali i vetëm i mbijetuar Hamdiu. Kurse Zylfija, e njohur edhe si "Shota e Haklajve" ndodhet në listën e personave më të kërkuar në vend, publikuar nga Interpol-Tirana. Pritet që brenda pak muajsh të ketë një vendim të formës së prerë në ngarkim të saj, për fajësinë e kërkuar nga Prokuroria apo pafajësinë e pretenduar nga mbrojtja.                                                         f.m.

Suedia po shqyrton azilin
TIRANE - Djali i madh i Muharrem Haklajt, i vetmi i mbetur gjallë, Hamdi Haklaj ndodhet në Suedi në pritje të azilit politik. Ai qëndroi disa muaj i arrestuar atje për llogari të autoriteteve shqiptare, por dokumentet e dërguara nga Tirana zyrtare nuk i bindën gjyqtarët Suedezë se ndaj tij po zhvillohej një proces i rregullt. Përkundrazi, gjykata e këtij shteti vlerësoi dokumentet e mbrojtjes, të cilët pohuan se gjyqi që po zhvillohej ndaj Haklajt në Gjykatën e Tiranës ishte iniciuar nga politika. Pas kësaj u vendos që Haklaj të lirohej nga qelia, ndërsa t'i kërkohej Tiranës të dërgonte zyrtarisht dosjen në Suedi për t'u gjykuar atje. Aktualisht procesi ndaj Hamdi Haklajt ka mbetur pezull në gjykatën e kryeqytetit, pasi organi i akuzës nuk paraqitet te gjyqtari i çështjes. Haklaj akuzohet të jetë autori i një atentati të ndodhur në qershor të vitit 2005 kur humbën jetën dy persona. Sipas Prokurorisë edhe për këtë krim, motivi mendohet të jetë hakmarrja, pasi Haklaj i akuzonte ata për vrasjen e vëllezërve të tij më të vegjël. Burime të çështjes pohojnë se Haklaj ka paraqitur te autoritet Suedeze kërkesën për azil politik që në momentin arrestimit, por që kjo nuk ishte shqyrtuar për shkak të kërkesës për ekstradim. Tashmë, lirimi i tij i ka hapur rrugë shqyrtimit të kërkesës për strehim politik.                                  f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›