E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerimi i NATO-s?

• Ylli Dylgjeri

 Amerika do të jetë shefi që     përcakton menynë dhe gatuan për pjatat kryesore, ndërsa aleatët e NATO-s do të jenë si ato djemtë që... Shefi i menysë…
“Amerika do të jetë shefi që përcakton menynë dhe gatuan për pjatat kryesore, ndërsa aleatët e NATO-s do të jenë si ato djemtë që vërtiten për të pastruar mbeturinat dhe do të merren me ruajtjen e paqes - për një kohë të pacaktuar”, kështu e përshkruan në një artikull me titullin “Fundi i NATO-s?”, gazetari i madh i çështjeve ndërkombëtare në “New York Times”, Thomas Friedman (tri herë fitues i çmimit Pulitzer). Duke vijuar më tej, autori thekson se: Amerika është aq përpara teknologjikisht në krahasim me cilindo nga shtetet e tjera të NATO-s, sa që gjithmonë e më pak ia ka nevojën për luftëra të largëta, sikurse u pa në Afganistan, ku Amerika fitoi pothuajse e vetme, përveç kontributeve të kufizuara, ndonëse të rëndësishme të Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë. Po t’­i shtojmë kësaj edhe impulset unilateraliste të ekipit të Bushit, që instinktivisht priret të luftojë pa ndihmën e aleatëve, të cilët mund të bëhen pengesë, ose t’ia ngushtojnë hapësirën e manovrimit, atëherë kemi shumë njerëz në Bruksel që pyesin nëse shtetet anëtare të NATO-s kanë për të luftuar ndonjëherë së bashku? Lufta në Irak i dha disi përgjigje.
Zgjerimi i NATO-s?
Këtë pyetje e vura në titullin e shkrimit, jo për habinë e zgjerimit me vendet e A3-it, por për të kuptuar peshën e cilitdo vendi në këtë aleancë, për të kuptuar besimin dhe qytetarinë që ne i kemi ofruar kësaj aleance politiko-ushtarake. Duke mos mohuar Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon, reformat në mbrojtje dhe kontribute modeste të forcave tona paqeruajtëse, në Bosnje, Afganistan, Irak e kudo, përsëri kërkohen reforma dhe arritje të standardizuara. Kemi akoma boll mbeturina për t’i mbledhur e djegur në vendin tonë, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi. Riciklim me substancë të re. Jo vetëm që e kemi të nevojshme të veprojmë me reforma, por gjithashtu duhet t’i dërgojmë kësaj bote një sinjal tejet pozitiv - sinjalin që Amerika e kushdo kupton se, për të pasur një aleancë të qëndrueshme në luftën globale kundër terrorizmit duhet të jemi qytetarë shembullorë në aspektin e qeverisjes, të sundimit të ligjit, të sistemeve të sigurisë sociale, të terrenit për investime dhe të praktikave antikorrupsion.
Duke dalluar qartë aferat korruptive të politikës tonë qeveritare në vite, si dhe kulmin e saj me çmontimet e municioneve në Gërdec, pyetja tjetër që më vjen natyrshëm është: Do luftojmë ndonjëherë për NATO-n, apo NATO do luftojë me Ne? Sot dhe ditët në vijim, me informalitetin tonë në të gjitha fushat, duket se edhe për shumë kohë do të “luftojë NATO me Ne”. Unë e kuptoj si një revolucion marrjen e ftesës. Të gjithë revolucionet moderne të kryera në vendin tonë kanë ardhur si nevojë e brendshme e vendit, ndaj dhe duke pasur parasysh shkallën brenda dhe përbrenda shoqërisë së sotme, një ekip i prapambetur qeveritar, si ky që kemi sot, nuk mund t’i bëjë ballë kësaj ftese – po qe se nuk ka për të pasur ndërhyrje nga jashtë. Krimi në Gërdec shpalosi haptas se tashmë nuk ka më, jo mure, por as edhe kodra ku mund të fshihemi, se të gjitha gjërat janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këtë u munduan ta pranojnë qeveritarët tanë vetëm në postragjedi. Besoj dhe shpresoj ta ketë kuptuar edhe opozita “përjashtuese” që deri dje deklaronte: “Nano dhe nanoistët nuk janë në projektin tim!”. Nëse nuk mund të jetojmë në një pluralitet idesh, asnjëherë s’kemi për t’u zhvilluar.
Tani jemi për luftë…?
Kemi parë luftëra, kemi parë në Gjirin Persik, Kosovë, Afganistan, Irak dhe së fundi, në kohë paqeje edhe “luftën e Gërdecit”, me shpërthimet e mafies dhe të… municioneve. Për të zhvilluar një luftë moderne në kohën e sotme duhen katër gjëra themelore, sipas specialistëve: shumë avionë të mëdhenj transporti për të dislokuar trupa në fusha beteje; bomba e raketa të drejtuara me precizon që mund të godasin objektiva armike me një shkallë të lartë sigurie, duke shkurtuar kësisoj luftën dhe duke pakësuar njëkohësisht vrasjet e civilëve; një numër i madh ekipesh për operacione speciale, sisteme ndërlidhje të sigurta etj. Gazetari Friedman thotë: “Asnjë nga vendet anëtare të NATO-s nuk i ka këto të katërta. Britania e Madhe është më afër. Gjermania, Franca dhe Italia vështirë të zihen në llogari, ndërsa të tjerët janë për të qeshur. Pjesërisht, ndodh sepse evropianët, thellë-thellë, nuk ndihen të kërcënuar nga armiqtë e Amerikës, në veçanti nga “boshti i së keqes” që përcaktoi z. Bush, në raportin vjetor para Kongresit, për një rritje të buxhetit për mbrojtjen. Shpenzimet e Amerikës në këtë sektor do të jenë të barabarta me buxhetet ushtarake të pesëmbëdhjetë vendeve që pasojnë për të tilla shpenzime - të pesëmbëdhjeta të marra së bashku”. Sigurisht këto shpenzime sot janë edhe më të mëdha, shifrat janë të pa abdetuara me buxhetet ushtarake që rrodhën në vitet në vijim, me vazhdimin e luftës në Afganistan e Irak. Kur dëgjon buxhete të tilla marramendëse, mendja të shkon te buxheti ynë modest. Sigurisht nuk është buxhet për luftë. Ne nuk kemi mundësi të kemi një pozitë të lartë në operacionet luftarake, as të investojmë për avionë që të ngrihen bashkë me ato të NATO-s. Ne kemi vetëm një mundësi, që tash e tutje të shqiptojmë qytetarinë tonë me Q të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›