E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karburantet nuk sigurohen për dëmet ndaj të tretëve

• Edhe pse tregu i sigurimeve ka pësuar një zhvillim goxha të madh vitet e fundit, përsëri shumë prej kompanive të ndërtimit apo të karburanteve nuk janë të siguruar ndaj dëmtimeve që mund t’u shkaktojnë palëve të treta.

Fabiola Çela

Këto mund të jenë dëme të rastësishme ndaj individëve që u shkaktohen gjatë aktivitetit të kompanisë, por që fatkeqësisht nëse ndodh diçka e tillë, askush nuk merr përsipër t’i zhdëmtojë ata.
Sigurimet
Sipas raportit më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë muajve të parë të këtij viti të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të jo-jetës u rritën me rreth 35.48%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 171 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe rreziqet natyrore me rreth 51%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile, me 24% dhe sigurimi i garancisë, me 9%. Sipas AMF-së, në nivele në rritje për këtë periudhë ishin sigurimet e përgjegjësisë, duke zënë 19% të sigurimeve të pronës, përgjegjësive dhe garancive, duke filluar të plotësojnë rëndësinë e këtij portofoli në stadin aktual të zhvillimit të vendit. “Veprimtaria e operatorëve në tregun e karburanteve, ndërtimeve, hotelerisë & turizmit, etj., në më të shumtën e rasteve është e pasiguruar ndaj dëmtimeve që mund të shkaktojë ndaj të tretëve”, thuhet në raport. E pambuluar në sigurim rezulton të mbetet edhe përgjegjësia profesionale në fusha të ndryshme. Sigurimet inxhinierike mbeten në nivele të ulëta me gjithë zhvillimin e tregut të ndërtimit në Shqipëri.
Dëmet
Totali i dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimeve në janar-shkurt 2008 është rreth 212 milionë lekë, ose 19.68% më pak se në janar-shkurtin e vitit 2007. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 171 milionë lekë, apo 80.19% të totalit. Kjo ulje në dëmet e paguara bruto ndihet në portofolin “Kartoni jeshil”, ku ka një ulje të dëmeve të paguara bruto nga shoqëritë e sigurimit, me rreth 50% dhe ulje të numrit të dëmeve të paguara, me rreth 27% krahasuar me 2-mujorin e parë të vitit 2007. Kjo do të thotë se, gjatë muajve të parë të vitit është ulur numri i aksidenteve të ndodhura jashtë kufijve të vendit nga shqiptarët.

Kreditë, rritet numri i të siguruarve
Për të marrë një kredi në bankë, më parë duhet të jesh i siguruar pranë kompanive të sigurimit të jetës. Ky kusht i vendosur nga bankat ka bërë që të rritet ndjeshëm numri i të siguruarve. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjatë dy muajve të parë të vitit vëllimi i të ardhurave nga sigurimi i jetës ishte rreth 56 milionë lekë, me një rritje prej 32.70% krahasuar me janar-shkurtin e 2007-ës. Peshën më të madhe prej rreth 84% në të ardhurat e sigurimit të jetës e zë produkti “Jetë debitori”. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive individëve dhe personave juridikë. Por pavarësisht kësaj, tregu i sigurimeve në vend vazhdon të mbetet i orientuar drejt sigurimit të jo-jetës. Sipas të dhënave nga AMF-ja, gjatë periudhës janar-shkurt 2008 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 82,020, duke shënuar një rritje prej rreth 23.89%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Rritja e numrit të kontratave në 2008-ën u shoqërua me rritjen e vëllimit të të ardhurave nga primet. Primet e shkruara bruto të sigurimeve arritën në rreth 957 milionë  lekë, shifër kjo 19.71% më e lartë se ajo e të njëjtës periudhë të vitit 2007. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, që sollën rreth 94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e jetës me rreth 6%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›