E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset e Abu Rayyan, pyeten dëshmitarët te Krimet e Rënda

• TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje dy dëshmitarë të Prokurorisë në procesin në ngarkim të Hamzeh Abu Rayyan, i akuzuar si administratori i pronave të sauditit Yasin Kadi.

Dëshmitari i parë ishte një oficer i Policisë Gjyqësore për tatimet, i cili pohoi se në vitin 2005 kishte bllokuar me urdhër të ministrit të Financave aktivitetin e zyrës së Rayyan dhe më pas të disa prej pronave të Kadi, të cilat ishin dhënë me qira. Ky dëshmitar i kërkuar edhe nga mbrojtja, gjatë dëshmisë së tij u kundërshtua nga të dyja palët, të cilët pretenduan për pasaktësi. Mbrojtja e tij pohoi se atëherë, kur ishte paraqitur në zyrën e Abu Rayyan, ky dëshmitar nuk kishte pasur dokumente me vete për justifikuar veprimet, ndërsa pas debatit që kishte pasur aty me avokaten e kompanisë kishte telefonuar dhe kishte sjellë urdhrin. Pas kësaj ai pohoi se kishte mbajtur një procesverbal. Ndërsa dëshmitari i dytë i procesit ishte njëri prej qiramarrësve të pronave të Kadi, i cili pohoi se kishte nënshkruar kontratë për marrjen me qira për një periudhë dyvjeçare të një ambienti për servis automjetesh në rrugën e Durrësit. Ky tha se kishte 9 muaj që nuk kishte paguar qiranë, pasi askush nuk kishte shkuar t'ia merrte atë. Pas kësaj mbrojtja e pyeti atë nëse kishte dijeni për akuzën e "financimit të terrorizmit" apo "fshehjes së të ardhurave" për të cilat akuzohej Rayyan, dhe ai pohoi se nuk kishte dijeni për këto. Pas kësaj mbrojtja pohoi se ky dëshmitar i sjellë nga Prokuroria nuk kishte sjellë asnjë fakt pro apo kundër akuzës. Po dje mbrojtja e Rayyan i dorëzoi gjykatës një letër dhe një kërkesë, që kishin lënë policët tatimorë, nëpër disa prej dyqaneve të administruara nga Rayyan, ku kërkonin lidhjen e kontratave të reja prej tyre. Sipas mbrojtjes tatimorët duke pretenduar se këto prona ishin sekuestruar, qiramarrësit duhet të lidhnin kontrata me shtetin. Avokatët e Rayyan pohuan se vendimi qeverisë për shoqërinë "Loxhall" kishte dalë vetëm dy javë më parë dhe si i tillë nuk kishte asnjë fuqi për të shtrirë efektin e vet në vitin 2005, kur kishte nisur kontrolli dhe bllokimi nga Ministria e Financave të pronave të Kadi. Aktualisht biznesmeni Yasin Kadi ndodhet në vendin e tij, duke vazhduar të drejtojë bizneset e tij i pa shqetësuar pasi pak muaj më parë emri i tij u hoq nga lista e personave që financojnë terrorizmin. Vetëm pak muaj më parë Zvicra ishte një nga shtetet që hoqi akuzat ndaj tij.        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›