E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me inertet në Kinostudio, reagon Bashkia

• Një ditë pas skandalit të publikuar nga gazeta për plehrat dhe inertet që shkarkohen në Kinostudio, reagon Bashkia e Tiranës.

Sipas zëdhënëses për shtyp të këtij institucioni në zonë janë dërguar disa inspektorë për të verifikuar situatën. Ndërkaq Bashkia pohon se një përgjigje konkrete dhe zyrtare lidhur me problemin e ngritur do të mund ta marrim sot. Bëhet fjalë për territorin e brendshëm të “ish-Kinostudios Shqipëria sot”, në pjesën prapa televizionit “Klan”. Që prej një muaji çdo ditë zbrazen mbi 5 kamionë me inerte e plehra të tjera. I parkuar gjatë ditës pikërisht mbi këto mbeturina qëndron një autobot me dy mbishkrime, që e bëjnë të gjithë kornizën e kësaj panorame tejet qesharake. I pari “Ecoaqua srl”, çka tregon se firma përkatëse lag me ujë për të shmangur pluhurin rrugët e Tiranës, dhe tabela më domethënëse po mbi këtë automjet “Mbani qytetin tuaj të pastër”. Por ndërkaq pirgu me mbetje që ndotin mjedisin dikur të gjelbëruar në këtë zonë sa vjen e rritet. Sipas banorëve as nga Ministria e Mjedisit dhe as nga Bashkia gjatë këtij harku kohor nuk është paraqitur askush për të ushtruar kontrolle. Kjo ndonëse ata janë ankuar disa herë. Sipas ligjit ndalohet hedhja e mbeturinave dhe inerteve pranë zonave të banuara. Por edhe sikur të mos ishte e banuar kjo zonë, sërish ligji përcakton vende të posaçme për depozitimin e mbetjeve të ngurta. Edhe pse në të dyja rastet kemi shkelje e abuzim, asnjë masë nuk është marrë për të ndryshuar situatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›