Transportet: Tuneli jugor i Kalimashit hapet më 21 maj 2010
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit në një njoftim për shtyp deklaroi dje se tuneli i Kalimashit do të hapet më 21 maj 2010 për të qenë i gatshëm për të gjithë udhëtarët gjatë sezonit veror. Sipas deklaratës së MPPT-së, më datën 21 maj, Galeria Jugore e tunelit të Thirrës, në segmentin Rrëshen-Kalimash, vihet përfundimisht në shfrytëzim të transportit publik. Sipas MPPT-së, punimet për strukturën mbështetëse të tunelit të Thirrës kanë përfunduar ditët e fundit. “Punimet elektromekanike dhe të sistemeve të kontrollit të trafikut janë instaluar dhe integruar plotësisht në një sistem të kontrollit qendror që përfshin 26 ventilator të mëdhenj ajrimi, më shumë se 70 kamera ÇTV, sinjalistikën e mesazheve variabël elektronik, një sistem kundër zjarrit në të gjithë tunelin, lokalizimin në mënyrë automatike të tymit dhe gazrave dhe zbulimin e incidentit, një sistem telefonik në rast emergjence, komunikimin me radio, si dhe ndriçimin normal dhe atë të sigurisë”,- njoftoi Ministria. Tuneli ishte premtuar të hapej më 15 maj por tejzgjatja e punimeve në galerinë jugore u bë shkak për shtyrjen me një javë.
Projekti i gazsjellësit, METE marrëveshje me “Trans Adriatic Pipeline AG”
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nënshkroi dje një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me kompaninë “Trans Adriatic Pipeline AG”, për projektin e gazsjellësit në Shqipëri. Memorandumi u nënshkrua nga ministri Dritan Prifti për palën shqiptare dhe nga Thomas J. Dimitroff dhe Lars Kronstadt për kompaninë e lartpërmendur. Burimet zyrtare të METE-s, konfirmojnë se ky memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi përcakton hapat që duhet të ndiqen nga të dy palët për projektin e gazsjellësit për Shqipërinë, i cili i referohet marrëveshjes ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, e lidhur në 10 mars 2009, për integrimin e sistemit të tyre të gazit natyral. “Duke pasur parasysh se investimi përfundimtar lidhur me projektin TAP parashikohet në vitin 2011, palët angazhohen nëpërmjet memorandumit, se do të punojnë së bashku në të ardhmen në mënyrë që ky afat i parashikuar të respektohet”,- thanë burimet e METE-s.
19 Maj 2010