E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardisti i Cërrikut: Në Cërrik u pritëm me armë, si i pashë shokët të vrarë



Laureta Rryçi

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda u dëgjua dje dëshmia e dy gardistëve për masakrën e 23 marsit të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri gjashtë punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën 16 punonjës të Policisë së Shtetit. Petrit Nikolli dhe Pashk Doda ishin punësuar si gardistë vetëm një muaj para masakrës, në shkurt të 1997-s. Ata dëshmuan se prej eprorëve të tyre ishin urdhëruar të ndërhynin në Cërrik për të rivendosur rendin dhe qetësinë në qytet, i cili në 1997-n ishte shkatërruar nga trazirat. Gardistët dëshmuan se kur kishin hyrë në qytet, rrugët ishin të boshatisura dhe se nuk kishin parë nga vinin të shtënat dhe se kush qëllonte. Pashk Doda mbeti i plagosur rëndë nga breshëritë e armëve, ndërsa dëshmitari tjetër, Petrit Nikolli, mori plagë më të lehta. Dëshmitarët sqaruan se kishin parë me sytë e tyre kolegun Petrit Ndoj, i cili vdiq nga plagët e rënda.

Dëshmia e Pashk Dodës
“Në vitin ‘97 kam jetuar në Mirditë dhe i bëra një kërkesë Policisë për të filluar punë. Fillova në repartin e gatshëm të policisë. Kam marrë pjesë në aksione policie në Tiranë, Lezhë. I fundit ka qenë në Cërrik. Ka qenë data 22 maj dhe na thanë se ishte bllokuar Komisariati i Policë së Cërrikut nga bandat dhe jemi nisur nga Tirana për në Elbasan. Njoha disa nga personat e repartit: Pjetër Nikolla, Dritan Hasa, Gëzim Prenga, Gjergj Prenga etj. Mund të kenë qenë rreth 6 automjete që u nisën për në Elbasan dhe kemi arritur atje më datë 22 maj, rreth orës 22:00. Të nesërmen jemi nisur që në orën 6 të mëngjesit drejt Cërrikut. Arma që unë kisha me vete ishte automatik i llojit kallash. Për në Cërrik u nisën rreth 7 makina. Ne u futëm brenda në qytetin e Cërrikut dhe në një shtëpi private bëmë një kontroll për armë, por nuk gjetëm gjë. Më pas, në dalje të Cërrikut, gjetëm armatime në një banesë dhe pasi i mblodhëm. Unë kam qenë në një blindë të gjelbër dhe kur arritëm në Cërrik nuk kishte fare lëvizje qytetarësh, nuk kishte njeri të gjallë në rrugë. Në momentin e parë që u futëm filluan krismat nga të gjitha anët. Në momentin e zjarrit u hapëm në drejtime të çrregullta. Në mjetin tim ishte Pjetër Ndoi, Tom Lacka edhe 2 të tjerë. U plagos i pari Dritan Hasa. Ne nuk kemi qëlluar, por është qëlluar ndaj nesh me automatikë, granata, predha dhe kundërtank. Pasi u plagos Dritan Hasa, u plagosa unë dhe më tej Petrit Nikolla. Ne e nxorëm Dritan Hasën për ta dërguar te blinda e bardhë dhe në ato momente u plagosa unë. Petrit Nikolla u plagos në fund. Me vështirësi arritëm te blinda e bardhë. Mbaj mend që Petrit Ndoi vdiq sepse mori një plumb në kokë. Më tej kemi shkuar në spital dhe aty morëm vesh se kishte të vrarë dhe të plagosur. Ka pasur 6-7 të vdekur dhe të plagosur më shumë se 12-13 veta. Pas Elbasanit vajtëm në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, - ka përfunduar dëshminë e tij ish-gardisti.

Procesi
Mbi të pandehurit e bandës së Cërrikut rëndojnë akuza të rënda për krijimin dhe organizimin e veprave kriminale në kuadër të bandave kriminale, vrasje në rrethana cilësuese të punonjësve të rendit në detyrë. Në këtë proces gjyqësor, në cilësinë e të pandehurit të akuzuar për masakrën e Cërrikut, janë ulur në bankën e të akuzuarve nëntë persona. Të pandehurit janë Llazar Bicja, Meti Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Nga hetimet ka rezultuar se në datën 22 maj 1997 është sulmuar me armë zjarri nga disa shtetas posta e policisë së qytetit Cërrik dhe janë larguar me forcë punonjësit e policisë nga kjo postë. Të nesërmen, forca të policisë së Komisariatit Elbasan, të drejtuara nga shefi i komisariatit, Agron Kuliçaj (tashmë nëndrejtor i Policisë së Shtetit), në bashkëpunim me Forcat e Speciale (Garda e Republikës), kanë shkuar në Cërrik për të rivendosur rendin. Sipas dosjes hetimore, të pandehurit Llazar Bicja dhe Met Bozi, të ardhur në dijeni të lëvizjeve të forcave policore, kanë organizuar një grup personash të armatosur me qëllim goditjen e forcave të policisë. Hetuesit e çështjes thanë se këta të pandehur kanë shkuar në mëngjesin e datës 23 maj 1997 në Lagjen Nr. 3 të qytetit Cërrik dhe kanë takuar të pandehurit Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani, si dhe shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani, Bashkim Buzani, të cilët ishin të armatosur dhe qëndronin në një postbllok të krijuar prej tyre për shkak të hasmërive që kishin me familjen e Eduart Peqinit, i njohur me pseudonimin "Mandela". Bozi e Bicja, sipas Akuzës, kanë nxitur personat e mësipërm për të goditur forcat e policisë, duke i mashtruar se gjoja këto forca kishin ardhur nga Tirana me qëllim vrasjen dhe përdhunimin e vajzave dhe grave të tyre. Ata e kanë nxitur Roland Xhepexhiun të pozicionohet në tarracat e qytetit dhe të godasë efektivat e policisë. Prokuroria thotë se pas këtij organizimi, Arjan Toska, Alban Toska, Bujar Buzani, Tomor Buzani së bashku dhe me shtetasit Luftar Toska, Besnik Toska, Sokol Buzani dhe Bashkim Buzani, të armatosur me armë zjarri të ndryshme, janë pozicionuar brenda ambienteve të kinemasë së qytetit të Cërrikut. Xhepexhiu është pozicionuar në tarracën e pallatit që ndodhet rreth 200 metra larg kinemasë. Akuza thotë se pas pozicionimeve që përcaktuan Bicja e Bozi, në Cërrik kanë mbërritur forcat e policisë së Elbasanit, të mbështetura nga disa njësi të Gardës së Republikës. Në momentin që ndodheshin në qendër të qytetit shtetasi Ardian Rama, aktualisht i vdekur, ka qëlluar me armë automatike. Në momentin kur njëra nga makinat e blinduara të policisë ka qenë duke kaluar në qendër të qytetit të Cërrikut, përballë me kinemanë e qytetit, fluksi i të shtënave ka qenë maksimal në dy drejtime kryesore. Makina e blinduar është qëlluar me antitank nga i pandehuri Arjan Toska dhe gjithashtu brenda saj është hedhur edhe një granatë nga Sokol Buzani, veprime që kanë shkaktuar djegien e 2 prej efektivave të policisë që ndodheshin brenda saj dhe ka detyruar personat e tjerë të dalin nga blinda e me pas të qëllohen me armë zjarri duke shkaktuar vdekjen edhe të 3 efektivave të tjerë të policisë. Prokuroria thotë se në përpjekje për t‘u larguar nga vatra e zjarrit, në afërsi të pallatit nr.1 të qytetit të Cërrikut, në një arë të mbjellë me thekër, është vrarë edhe një efektiv tjetër i Forcave Speciale të policisë. Gjithashtu, në këtë ngjarje janë plagosur edhe 16 efektiva të tjerë policie.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›