Krimet e Rënda pranojnë akuzat ndaj Dokles dhe Taullajt
Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të cilësuarit si drejtues të grupit kriminal. Endrit Dokle, i shoqëruar nga paraburgimi “Jodan Misja 313” dhe Edmond Taullaj fillimisht kanë deklaruar gjeneralitetet e tyre përpara gjyqtares së gatshme Flora Hajredinaj. Avokatët i kanë bërë me dije se klientët e tyre nuk kanë lidhje me trafikun e drogës, ndërkohë që prokurori i ka paraqitur gjykatës të gjitha provat që kishte në ngarkim të tyre. Prokurori i çështjes, Besnik Muçi, i ka vënë në dispozicion gjykatës përgjimet telefonike që kanë kryer dy të pandehurit, në të cilat sqaroheshin edhe pazaret e drogës. Për këtë arsye, prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, e cila u caktua më pas nga gjykata. Në momentin që gjykata ishte duke vlerësuar masat e sigurisë, mbrojtësit e të pandehurit Endrit Dokle kërkuan përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj për arsye se ndodhej në trupën gjyqësore që gjykon bandën e Durrësit. Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i cili e rrëzoi atë si të pabazuar në ligj. Endrit Dokle dyshohet se nga përgjimet, nëpërmjet telefonit, të cilën e mbante në qelinë e tij në paraburgimin “Jodan Misja 313”, jepte porositë për të kaluar sasi të konsiderueshme droge nga Shqipëria drejt Italisë. Edhe pse i izoluar në burg Dokle ka arritur të ndërtojë rrjetin e drogës duke futur në brendësi të tij njerëz të besuar.
Isuf Buna, kunati i Endrit Dokles, si dhe vëllai i Kujtim Bunës, për çdo seancë të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda në ngarkim të 16 anëtarëve të bandës së Durrësit, ka qenë i pranishëm, ku dhe herë pas here, në largësi komunikonte me të pandehurit, ndërsa Edmond Taullai është kushëriri i Indrit Taullait, edhe ky pjesëtar i bandës së Durrësit. Sipas të dhënave të Akuzës, grupi ka arritur të kalojë drejt Italisë një sasi prej 40 kg drogë të pastër. Vetëm përgjimet disamujore kanë arritur të zbardhin mekanizmin e këtij grupi dhe drejtuesin që ndodhej brenda qelive të burgut për një tjetër akuzë.
Durrës, nis procesi ndaj Artan Kristos
Nisi dje në qytetin e Durrësit seanca gjyqësore ndaj Artan Kristos, i akuzuar për nxitje të terrorizmit në një forum në internet. Ky i fundit është arrestuar që në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e burgut pa afat për të. Në seancën që u zhvillua në Gjykatën e Durrësit, Kristo rrezikon deri në 10 vjet burg, por ai dhe avokati i tij mbrojtës kërkuan pushimin e çështjes pasi provat ndaj tij janë të pavlefshme. Në mesazhet e zbuluara nga prokuroria, Kristo shkruante se “ka pasur dhe do të ketë xhihad, i cili është obligim dhe detyrim i madh për myslimanizmin deri ditën e gjykimit”. Një tjetër mesazh është dhe ai ku lartësohej figura e Bin Ladenit. Një tjetër thënie që konsiderohet propagandë për prokurorinë është ai “që ne pranojmë dhe të vritemi sepse Xhihadi është luftë e shenjtë dhe obligim për myslimanët“. Nisur nga përmbajtja e këtyre këshillave dhe propagandës, prokuroria pretendon se nxitet urrejtja fetare dhe veprat terroriste.
19 Maj 2010