Dekretet e Topit, 166 qytetarë hoqën dorë nga të qenit shqiptar
Artan CENA
TIRANË - Brenda katër muajsh, 166 shqiptarë kanë hequr dorën nga shtetësia e tyre, duke marrë tjetër, të vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë. Janë tetë dekrete të firmosura nga presidenti Bamir Topi gjatë katër muajve të parë të 2010-s, duke lejuar largimin e 166 shqiptarëve, ndërkohë që vetëm 51 të huaj kanë marrë shtetësi shqiptare. Hapja e Shqipërisë ndaj botës është shoqëruar edhe me një fenomen pak të panjohur më parë për shqiptarët, atë të lënies së shtetësisë shqiptare dhe përqafimit të një shtetësie tjetër të huaj. Vitet e tranzicionit, përveç ndryshimeve demokratike, kanë sjellë dhe një lëvizje të madhe demografike jo vetëm brenda vendit, pra nga fshati në qytet, por edhe nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të huaja. Nuk bëhet fjalë për emigrantët, por për ata persona që kanë vendosur të ruajnë vetëm kombësinë shqiptare, por jo shtetësinë. Presidentët shqiptarë në këto 19 vite demokraci, kanë dekretuar mijëra kërkesa për lënie nënshtetësie. Duhet evidentuar fakti se ky është një numër i kufizuar, pasi numri i qytetarëve që e kanë kërkuar një gjë të tillë është shumë më i madh.
Ligji
Nenet 15 dhe 16 të Ligjit Nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, përcaktojnë kushtet për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare për të rriturit dhe të miturit, duke nënvizuar premtimin ose dhënien e shtetësisë së vet nga një shtet tjetër, rezidencën në atë vend, mungesën e ndjekjes penale dhe detyrimeve ligjore të pashlyera në Shqipëri, marrëveshjen prindërore. Neni 15, për mbarimin e shtetësisë shqiptare, shprehet: “Shtetësia shqiptare merr fund me kërkesë të personit, kur ai plotëson kushtet e mëposhtme: 1. Ka mbushur moshën 18 vjeç. 2. Nuk mbetet pa shtetësi si rezultat i heqjes dorë nga shtetësia shqiptare, meqenëse ka shtetësi të huaj, fiton shtetësi të huaj ose garanton se do të fitojë shtetësi të huaj. 3. Është rezident në një shtet të huaj. 4. Nuk është në ndjekje penale për vepra penale, për të cilat, sipas legjislacionit shqiptar, parashikohet dënim me burgim jo më pak se 5 vjet. 5. Nuk ka detyrime ligjore ndaj autoriteteve shtetërore, personave juridikë dhe fizikë. Vendimi për njohjen e faktit të heqjes dorë nga shtetësia shqiptare mund të revokohet kur vërtetohet se ish-shtetasi shqiptar, me vetëdije, ka përdorur të dhëna të pasakta ose dokumente të falsifikuara për lënien e shtetësisë”. Shtetet kryesore që u garantojnë shtetësinë e vet shtetasve shqiptarë, si Gjermania, Austria, Holanda apo edhe shtete të tjera, u japin atyre një afat dyvjeçar për përgatitjen e dokumentacionit dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Të gjitha procedurat zgjasin në një afat kohor prej gjashtë deri në tetë muaj që nga bërja e kërkesës deri në miratimin apo revokimin e saj. Në rastin e parë shtetasit njoftohen për të drejtat dhe detyrimet që kanë si shtetas të vendit që kanë përfituar shtetësinë, por edhe të vendeve ku qëndrojnë përkohësisht.
Dyshtetësia
Dhënia e dyshtetësisë, me vendim të qeverisë, të minoritarëve që jetojnë në Shqipëri, hapi debate të mëdha në vendin tonë. Parlamenti shqiptar, në qershor të 2003-shit, është shprehur kundër dhënies së shtetësisë kolektive, pasi një gjë e tillë do të destabilizonte Ballkanin. Lejimi i dyshtetësisë në vendin tonë, edhe pse lejohet, sipas detyrimeve që rrjedhin nga një dekret i miratuar nga Presidenti i Republikës vite më parë, mund të krijojë probleme përsa i përket të drejtës së votimit për shtetasit që e gëzojnë atë. Sipas juristëve, ndonëse dyshtetësia është një e drejtë ligjore, minoritarët grekë që parashikohet të përfitojnë edhe nënshtetësinë greke, mund të kenë pretendime për të krijuar një parti politike me bazë etnike. Por edhe ky pretendim mund të mbetet në tentativë, pasi Kushtetuta edhe në këtë pikë e ndalon një veprimtari të tillë, pra krijimin e partive politike me bazë etnike ose krahinore.
Aplikimet
Marrja e shtetësisë shqiptare, shumica prej tyre turq
Veç lënies ka dhe kërkesa nga qytetarë të huaj që kërkojnë të marrin shtetësinë shqiptare. Nga të dhënat publike që gjenden në faqen online të Presidentit të Shqipërisë, numri i personave që kanë vendosur të marrin nënshtetësinë shqiptare është vetëm 51 qytetarë. Shumica e atyre që kanë kërkuar të bëhen shqiptarë janë shtetas turq që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Shqipëri. Në vendin e dytë janë qytetarët nga Kosova, të cilët, duke shpresuar në një lëvizje të lirë të shtetasve të Shqipërisë, kanë kërkuar marrjen e pasaportës shqiptare. Por nuk mungojnë dhe qytetarë nga vende të tjera të huaja. Në listat e bëra publike nga zyra e shtypit e Presidencës shikohen emra të ndryshëm të qytetarëve nga Italia, Maqedonia, Gjermania, por dhe nga Kina. Sipas të dhënave, deri në fund të vitit 2009 numri i shqiptarëve që kanë lënë shtetësinë është i madh dhe llogaritet në gati 8 mijë qytetarë. Ata kanë vendosur që të mos jenë më shqiptarë duke marrë pasaporta të vendeve ku jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Një tjetër problem është dhe fakti që shumë nëna shqiptare, me mundësitë e tyre, shkojnë në vende të tjera, si në Itali, Gjermani, Francë, Angli, që të lindin fëmijët, me qëllim që ata të quhen qytetarë të vendit ku lindin. Ky fenomen është përhapur shumë vitet e fundit.
Koha dhe dokumentet për lënien e shtetësisë
Pavarësisht morisë së dokumentacioneve që u nevojiten shqiptarëve, për të plotësuar “dosjen” e kërkimit të lënies së shtetësisë, për ta marrë atë në vendin ku jetojnë, sërish numri i aplikuesve për të mundësuar diçka të tillë duket se është gjithnjë e në rritje. Ndonëse duhen 6 muaj që nga koha e dorëzimit të materialeve, për t’iu nënshtruar kontrollit të imtësishëm që kryejnë instancat përgjegjëse, sërish vazhdohet të aplikohet përditë për lënie shtetësie. E kundërta ndodh me personat që kërkojnë ta fitojnë këtë shtetësi, sidomos shtetas shqiptarë që e kanë lënë dhe duan ta rifitojnë, por që, me sa duket, kjo tendencë shqiptarësh do të jetë e vonë.
Dy dekretet e fundit të Presidentit Bamir Topi
Dekret për lejim lënieje të shtetësisë shqiptare
Nr. i dekretit 6495
Tiranë, më 28.04.2010
Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, të Kushtetutës, të neneve 15, 19 dhe 20 të Ligjit Nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, bazuar edhe në propozimin e ministrit të Brendshëm,
DEKRETOJ
Neni 1
U lejohet lënia e shtetësisë shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm:
1. Marsida Adrian Lluca
2. Fatjon Shefik Puka
3. Mirsada Fahri Puka (Sovali)
4. Igli Naim Sejdini
5. Bernard Bashkim Ypi
6. Brikena Martin Lucaj
7. Marinela Xhemal Beqiri
8. Melisa Eltion Xhafa
9. Alisa Grigor Banushi-Müller (Banushi)
10. Armand Muhamer Leksani
11. Elona Bashkim Kongjoni
12. Marsida Lulzim Ohlebusch (Sudi)
13. Rudina Medar Gjonça
14. Ridi Ilir Kapo
15. Ira Ilir Kapo
16. Amis Ilir Allushi
17. Agron Skënder Enkhardt (Sukroja)
18. Marjeta Rrok Katzer (Cukaj)
19. Anita Pjetër Heinrich (Nikolli)
20. Elona Byrhan Wenk (Vuçini)
21. Alketa Pëllump Haxhija (Agolli)
22. Jetmir Halil Haxhija
23. Lea Halil Haxhija
24. Blerina Harilla Kraeft (Koçeli)
25. Sofika Spiro Sümnig (Musha)
26. Artan Simon Trumza
27. Adelaida Arkile Andoni
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Tiranë, më 08.04.2010
Nr. i dekretit: 6495
Për lejim lënieje të shtetësisë shqiptare
Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, të Kushtetutës, të neneve 15, 19 dhe 20 të Ligjit Nr. 8389, datë 05.08.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, bazuar edhe në propozimin e ministrit të Brendshëm,
DEKRETOJ
Neni 1
U lejohet lënia e shtetësisë shqiptare me kërkesë të tyre personave të mëposhtëm:
1. Valbona Myratip Elmazi (Avdullari)
2. Enita Engjëll Ramaj
3. Klodiana Ali Cora
4. Aldo Hajri Cara
5. Admir Dajlan Kaso
6. Alfred Petraq Dimo
7. Raimonda Esat Xhelilaj
8. Antonio Adison Artan Xhelilaj
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
19 Maj 2010