E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, sërish e pakënaqur nga loja me taksat e makinave



Dy vjet më parë, Komisioni Europian i deklaroi qeverisë shqiptare se e ashtuquajtura “taksë e ndotjes” për makinat e vjetra që importoheshin në Shqipëri, binte ndesh me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Qeveria iu përgjigj këtij shqetësimi duke ndryshuar metodologjinë e vjeljes së kësaj takse, por pa i ndryshuar thelbin. Taksa që përbën mbi 70 për qind të detyrimeve që shqiptarët paguajnë në dogana kur importojnë një makinë, mbetet në fuqi. Për më tepër, makinat mbi shtatë vjet do të taksohen sipas ligjit të ri, edhe më shumë se më parë, por makinat jo më të vjetra se gjashtë vjet, përfitojnë ulje kur importohen për herë të parë, por do të paguajnë taksa shtesë në rast se shiten brenda vendit pas disa vitesh. Taksa e re u gjet edhe si zgjidhje për të kënaqur KE-në, por kjo e fundit sërish ka mbetur e pakënaqur, pasi taksa mbetet gjithsesi jashtë standardeve të BE-së. Kjo do të thotë se shqiptarët do të duhet të presin anëtarësimin e vendit në BE për të shpëtuar nga taksa e ndotjes, e cila u vendos në vitin 2004. Qeveria shqiptare ka arkëtuar 2.9 miliardë lekë (rreth 29 milionë dollarë) nga taksa e ndotjes për makinat e importuara.

Makinat, ja formula e pagesës për detyrimin

Formula aktuale e përcaktimit të taksës së ndotjes shumëzon cilindratën e motorit me 20 mijë për makinat me benzinë dhe 25 mijë për ato me naftë dhe totalin e shumëzon me një koeficient sipas vjetërsisë. Për makinat mbi 10 vjet, koeficienti është 0.0048. Pra nëse bëhet fjalë për një makinë me naftë me motor 1.9, taksa e ndotjes është 1893x25000x0.0048, pra afërsisht 227 mijë lekë të reja. Kur një makinë e tillë importohet, shqiptarët përveç taksës së ndotjes, paguajnë edhe TVSH-ë mbi vlerën e makinës së importuar plus taksën e ndotjes. Kjo ishte formula e vjetër. Formula e re nuk ndryshon shumë. Shumëzohen cilindrat 1893 me 25 lekë dhe me koeficientin e vjetërsisë që është 0.5 për çdo vit vjetërsi. Pra nëse makina është dhjetë vjet, taksa e ndotjes do të jetë: 1893x5x25, në total afërsisht 248 mijë lekë. Siç shihet, formula e re sjell 21 mijë lekë taksë më të lartë. Le të supozojmë se një qytetar blen një automjet tip “Benz” me cilindratë 2000 kubikë i prodhuar në vitin 2005 dhe me naftë. Taksa aktuale e importit që duhet të paguajë është 145 mijë lekë. Me ligjin e ri, që miratoi komisioni taksa e importit bëhet sipas formulës së re të vendosur 125 mijë lekë. Por nëse qytetari e rishet makinën pas 5 vjetësh, taksa e përllogaritur në shitje pas këtyre viteve të përdorimit është 250 mijë lekë. Meqenëse ky qytetar ka paguar më parë në import 125 mijë lekë atëherë, kur ta rishesë automjetin atij i duhet të paguajë diferencën, pra 125 mije lekë të tjera.

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›