Dy shokë përplasen me njëri-tjetrin
Dy persona janë plagosur rëndë në një aksident të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës. Të dy të aksidentuarit janë miq me njëri-tjetrin dhe ishin duke lëvizur me shpejtësi secili me makinën e vet, kur janë përplasur në rrugën Fier-Patos, në vendin e quajtur Kthesa e Patosit. Sipas burimeve policore, të aksidentuarit janë Floriand Laze, 34 vjeç, si dhe Dritan Doko, 32 vjeç. Rreth orës 20:30 të së mërkurës, 34-vjeçari Laze udhëtonte me një veturë "Mercedes Benz", ndërsa Doko me një furgon. Laze udhëtonte drejt Patosit, ndërsa Doko në drejtim të kundërt. Për shkak të shpejtësisë dhe mungesës së ndriçimit, dy automjetet janë përplasur dhe kanë dalë jashtë rrugës, duke dëmtuar edhe një lokal, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar.