E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati me silenciator, vdes 46-vjeçari

I ka mbijetuar vetëm për pak orë vdekjes një nga dy personat e qëlluar në pritë mbrëmjen e së dielës në Shkodër. 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

 Nail Grezda ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spitalin e qytetit, ndërsa i plagosuri tjetër Artur Kola, vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën. Burimet spitalore bënë të ditur se 46-vjeçari Grezda nuk ka arritur të mbijetojë, si rezultat i hemorragjisë së madhe të gjakut si dhe nga dëmtimi i një pjese të mushkërisë, shkaktuar nga një plumb i vetëm që preku trupin e tij. Për policinë e Shkodrës vazhdon të jetë e mbuluar me mister vrasja e së shtunës mbrëma, ku një person i maskuar dhe i armatosur me një pistoletë me silenciator i doli përpara dhe qëlloi për vdekje Nail Grezdën dhe Artur Kolën. Mësohet se menjëherë pas krimit dhe duke vazhduar gjatë ditës së djeshme, nga ana e policisë janë marrë në pyetje disa dhjetëra banorë të zonës, por pa mundur të gjendet ndonjë e dhënë e saktë që të mund të hedhë dritë sadopak në lidhje me autorin dhe motivet e ngjarjes së rëndë. Mënyra e organizimit të pritës, përdorimi i armës me silenciator, si dhe mungesa e ndonjë gjurme në vendin e ngjarjes, ka lënë të kuptohet për blutë e Shkodrës se atentati kishte një organizim të tipit mafioz. Vendi që autori ka zgjedhur për të organizuar pritën si dhe përdorimi i një arme me zhurmëmbytës, ka bërë që askush të mos ketë informacion në lidhje me momentin e kryerjes së krimit. Kanë qenë kalimtarët e rastit, të cilët kanë parë dy persona të shtrirë përtokë mes një pellgu me gjak teksa po zvarriteshin duke kërkuar ndihmë. Të dy personat e qëlluar ishin fqinjë në lagjen “Dërgut” dhe deri pak minuta para se të kryhej krimi kanë qenë së bashku duke luajtur domino, fare pranë banesave të tyre. Sapo kanë mbaruar lojën janë nisur së bashku për në drejtim të shtëpive të tyre. Mendohet se autori i ka mbajtur nën vëzhgim dhe ka studiuar me saktësi lëvizjet e të dyve. Në momentin që Grezda dhe Kola kanë lëvizur, ai u ka dalë përpara dhe ka qëlluar 5 herë drejt tyre dhe më pas është larguar nga vendngjarja me një biçikletë, duke shfrytëzuar rrugicat e lagjes, i ndihmuar edhe nga errësira. Burime të policisë, të përforcuara edhe nga burime pranë bluzave të bardha, hedhin dyshime se objektivi i këtij atentati të ketë qenë 38-vjeçari Kola, ndërsa Grezda ka ngelur viktimë vetëm prej faktit se ishte pranë tij në momentin e gabuar dhe në vendin e gabuar. Ky konkluzion paraprak nxirret duke iu referuar plagëve të marra nga secili, ku Kola rezulton që të ketë mbërritur në spital me 4 plagë plumbi në trup, ndërkohë që Grezda është qëlluar vetëm me një plumb, por që ka rezultuar fatal për jetën e tij. Policia po heton në lidhje me ndonjë ngatërresë të fundit ose të hershme të personave që kanë qenë shënjestra e plumbave si dhe e të afërmve të tyre, për të mësuar ndonjë fakt më konkret në lidhje me ndonjë motiv të ngjarjes për të çuar tek autorët e mundshëm të vrasjes. Viktima Nail Grezda punonte si marangoz në një ambient pranë sheshit “Isa Boletini” dhe njihej nga të gjithë si njeri punëtor familjar dhe korrekt. Ndërsa Kola nuk kishte pasur asnjë precedent në qytet dhe njihej fare pak nga banorët e zonës.

Mister vrasja e biznesmenit, u qëllua me pushkë sportive

SHKODER – Rreth katër muaj më parë policia e Shkodrës ka regjistruar një tjetër ekzekutim mafioz, autori i të cilit ende rezulton i paidentifikuar. Mbrëmjen e 15 majit, Esat Valbona, 45-vjeç, një biznesmen nga Shkodra, u qëllua për vdekje me një plumb në zemër gjatë kohës që ndodhej në një bar pranë banesës së tij në alagjen “Xhabije” të qytetit. Në momentin e ekzekutimit biznesmeni Valbona ishte në shoqërinë e disa personave të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk u lëndua nga plumbi. Ndërkohë që asnjëri nga të pranishmit në bar, si edhe nga kalimtarët në rrugë nuk dëgjuan krisma, çka bëri të besohej se arma e krimit kishte qenë me silenciator. Dyshimi fillestar se vrasja ishte kryer me një armë snajper nga një qitës profesionist, u vërtetua vetëm një ditë më vonë me mbërritjen e një grupi hetimor nga kryeqyteti. Sipas ekspertëve të policisë, viktima ishte qëlluar me një plumb të kalibrit 5.6 mm, i cili mund të qëllohet vetëm nga një armë sportive, (pushkë dhjetëshe ose pistoletë) që përdoret në sportin e qitjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›