E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi nga mishi, kontrolle në fshat

ELBASAN - Drejtoria e Shëndetit Parësor në Elbasan dërgoi dje një grup inspektorësh drejt fshatit Grekan, për të gjetur prova mbi shkakun e helmimit të 14 personave nga ky fshat. 

Ata kanë marrë kampionë mbi ushqimet që kanë konsumuar anëtarët e dy familjeve në këtë fshat, jo vetëm mishin e pulës që pretendohet, por dhe produkte të tjera. Sipas dëshmive që dhanë të helmuarit gjatë ditës së shtunë dyshohet se, mishi i pulës që kishin ngrënë një natë më parë u kishte shkaktuar helmimin. Inspektorët e higjienës kanë kryer kontrolle në disa dyqane të këtij fshati, me qëllim parandalimin e shitjes së produkteve të ushqimit. Gjithashtu, kontrolle kanë zhvilluar dhe specialistë të Drejtorisë së Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, të cilët kanë inspektuar të gjithë zonën mbi produktet që tregtohen në dyqanet e këtyre fshatrave. Mostrat e bllokuara janë dërguar në laboratorë, ku ndodhen dhe analizat e të helmuarve dhe pritet që ditët e ardhshme të dalë konkluzioni i tyre. Sipas burimeve të Drejtorisë së Higjienës kampionet do të dërgohen në Tiranë, në laboratorë të specializuar. Ndërkohë, të helmuarit, mes të cilëve 7 fëmijë kanë lënë spitalin ditën e djeshme, pasi iu nënshtruan terapisë intensive për të dalë nga gjendja kritike. Drejtori i DSHP-së, Everest Hoxha pohoi dje për gazetën se, vetëm 10 ditë më parë inspektorë të higjienës në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë dhe specialistin e Prefekturës së Elbasanit kishin ushtruar kontrolle në disa markete të kësaj zone dhe gjatë raportit të tyre rezultonte se nuk kishte probleme të higjienës në të gjithë bizneset e fshatit Grekan. Mendohet se mungesa e energjisë në fshat ka provokuar shkrirjen e mallrave që ruheshin në ambiente frigoriferike, duke shkaktuar më pas helmimin.                     a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›