Atentati ndaj djalit të Mile Çamit, dyshohet hakmarrja
Mbetet mister tentativa e vrasjes së djalit të Fatmir Eminit dy net më parë, pranë banesës së tij. I riu, pas ndihmës së parë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, edhe pse mbeten enigmë shkaqet e atentatit. I pyetur nga grupi hetimor, Ilir Emini nuk ka dhënë asnjë detaj, të paktën deri tani, të bërë publik. Ai ka deklaruar vetëm se "isha përpara shtëpisë, pallatit (në lagjen "29 Nëntori") kur u qëllova nga një person që nuk arrita ta njoh, pasi nuk i kushtova rëndësi kur e pashë që po lëvizte me motor aty pranë. Ai qëlloi me armë dhe u largua. Mbaj mend vetëm që ishte me motor dhe se kishte disa minuta që po lëvizte në lagje. As i kushtova rëndësi se kush ishte dhe se ishte duke më ruajtur mua", mësohet të ketë thënë përpara grupit të hetimit 20-vjeçari Ilir Emini. Misteri duket se ka mbërthyer edhe policinë, e cila ka dalë me një deklaratë të thatë për mediat, duke mos dhënë asnjë detaj apo informacion në lidhje me pistat e hetimit apo personat që janë shoqëruar në lidhje me këtë ngjarje. Nga burime konfidenciale mësohet se 20-vjeçari nuk ka pasur konflikte personale, çka e vesh edhe më shumë me mister këtë ngjarje. Duke eliminuar përplasjet personale, dyshimet e grupit të hetimit mendohet të shtrihen edhe më tej, në ato të përplasjeve familjare ose më konkretisht të babait të Ilir Eminit, Fatmirit, një kriminel me nam në Fier dhe që njihet me nofkën Mile Çami. Ai është duke vuajtur dënimin me 25 vjet për vrasjen e një tjetër krimineli të famshëm të viteve ‘90, Loshit të Karbunarës, ndërkohë që është në pritje të gjykimit për vrasjen e nënës së Lulëzim Cakës së Beratit, si dhe për vrasjen e biznesmenit fierak, Gjergji Halos. Konflikti i nisur mes Mile Çamit dhe Lul Cakës pas vrasjes së Loshit të Karbunarës (kushëri i Cakës) shkaktoi disa të vdekur nga të dyja familjet. Lul Caka arriti të arratisej nga burgu për t‘u hakmarrë ndaj Miles për vrasjen e nënës, por gjatë kohës së arratisë së tij u vranë të afërm të Miles, ndërsa vetë ai nuk u cenua.