E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tatimorët bllokojnë librarinë "Toena"

Policia tatimore ka sekuestruar dje librarinë "Toena" në një qendër tregtare në autostradën Tiranë-Durrës. Një pjesë e mirë e sekuestrimit përfshin libra të autorit Ben Blushi. Sipas drejtorit të shtëpisë botuese, Fatmir Toçi, ky është një sulm i hapur politik për shkak të kandidimit të tij si deputet i Partisë Socialiste.

"Për këtë gjë jam njoftuar nga punonjësit e mi, pasi unë ndodhem për fushatë. Më thanë se punonjësit e tatimores kanë vajtur dhe kanë sulmuar bankinën promocionale, me pretendimin se kjo bankinë nuk ka një numër nipti të dytë", tha Toçi për mediat.

Fushata elektorale gradualisht është duke u përfshirë në situata acaruese akuzash dhe shfaqjesh të turpshme. Dita e djeshme cenoi një tjetër incident, që sipas protagonistëve lidhet me arsyet politike. "Punonjësve të tatimores u janë vrarë sytë nga posteri dhe publikimi që po i bëhet librit të Ben Blushit. Ata nuk e kanë duruar dot këtë gjë", u shpreh dje i shqetësuar Fatmir Toçi.

Sipas tij, tatimorët kanë bërë të mundur sekuestrimin e rreth 100 librave të Ben Blushit, çka tregon qartë se sulmi është politik. Më tej ai shtoi se "ky është një sulm politik për të denigruar figurën time dhe biznesin tim. Nuk ka kuptim të mbahen qëndrime të tilla. Ky është një sulm i hapur politik", theksoi Toçi.

Fatmir Toçi është kandidat i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, kurse Ben Blushi garon për Qarkun e Korçës.

Rama:

"Veprimi, shprehje
e së shkuarës"

Menjëherë pas ngjarjes, reagoi kreu i PS-së, Edi Rama duke e cilësuar atë çka ndodhi si mjaft të shëmtuar dhe rrënqethëse. "Unë i bëj apel Sali Berishës, të kthejë librat në sergjenët e tyre, të kthejë menjëherë dinjitetin e nëpërkëmbur të librit, të shkrimtarit dhe botuesit, si dhe të kthejë menjëherë ato që ka sekuestruar që nuk janë mallra dosido, por janë libra", tha Rama. Sipas tij, në këtë mënyrë Sali Berisha tregon se politika e tij është vetëm një shprehje e së shkuarës në të gjitha dimensionet e veta. "Kjo është një tjetër arsye, që më 28 qershor, shqiptarët e shqiptaret pa dallim, të gjithë ata që duan një Shqipëri të lirë pikëpamjesh, idesh, vlerash", theksoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›