E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tuneli i Thirrës, rrugë me sens të alternuar

Tuneli i Thirrës, i cili pritet të hapet me ceremoni në fund të qershorit, do të mund të përdoret si rrugë me sens të alternuar për shumë muaj deri në përfundimin e plotë të punimeve, bëhet e ditur nga burime të qeverisë. Policia pritet të kontrollojë hyrjet nga të dyja krahët te tubi verior. Kur të grumbullohet një sasi makinash nga Thirra, një automjet me sinjale do t‘i udhëheqë në anën tjetër të malit, ndërkohë që hyrja nga krahu i Kalimashit do të bllokohet gjatë kësaj kohe, thotë një zyrtar që nuk dëshiron të citohet. Përfundimi i punimeve në të katër korsitë është shtyrë tashmë për nga fundi i vitit.

Megjithëse tunelet janë me nga dy korsi secili, vonesat në hapjen e tunelit jugor bëjnë të pamundur përdorimin e tunelit verior në të dyja krahët, për arsye sigurie në raste aksidentesh. Për këtë arsye, njëra nga dy korsitë e tunelit të hapur do të lihet rezervë për një autoambulancë dhe një zjarrfikëse, të cilat do të qëndrojnë në dispozicion 24 orë në 24. Makinat e policisë me sirena do të udhëheqin vargun e makinave që dëshirojnë të kalojnë.

Rruga Rrëshen-Kalimash pritej të mbaronte më 28 qershor në të katër korsitë, sipas kontratës. Por shumë kompani në konglomeratin e kompanive kontraktuese e nënkontraktuese, nuk ia kanë dalë të respektojnë grafikun e punimeve, gjë që ka krijuar vonesa. Në rrugën 61 kilometra të gjatë, ku gjenden 29 ura, dy prej urave u dizajnuan vetëm në fillim të këtij viti dhe nuk do të jenë të hapura për trafik më 28 qershor. Kompania ka krijuar rrugë alternative përgjatë malit, për të anashkaluar dy urat e papërfunduara. Shumë ekspertë besojnë se nxitimi për të hapur një rrugë të papërfunduar për trafik para zgjedhjeve është një hap shumë i rrezikshëm dhe që mund të sjellë aksidente të panevojshme. Segmenti Rrëshen-Kalimash ka kushtuar deri tani rreth 800 milionë euro, ndërsa është vetëm një e treta e rrugës nga Durrësi në Kukës. Qeveria beson se rruga do të japë përfitime ekonomike në nivelin e 50 milionë eurove në vit, por ekspertët e pavarur besojnë se për shumë vite do të mbesë një autostradë në mes të askundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›