E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati ndaj sekuritit të “Green Moon”, i parapërgatitur

04/06/2005  Saimir Voga kishte pasur konflikt me disa frekuentues të panjohur të pub-it një muaj më parë

Punonjësi i sigurisë së pub-it “Green Moon” në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet, 30-vjeçari Saimir Voga, dyshohet të jetë ekzekutuar për shkak të një konflikti të disa javëve më parë. Por, policia ka hedhur dyshime edhe për ndonjë konflikt të mundshëm personal të ndodhur kohë më parë. Ndërkaq nga hetimet e deritanishme, nuk është arritur të konkludohet në ndonjë version përfundimtar, lidhur me ekzekutimin e tij me plumb në kokë, me një pistoletë me silenciator. Oficerët e policisë kanë pyetur punonjësit e tjerë të pub-it, të cilët kanë sqaruar se Voga kishte pasur një konflikt me disa klientë në fillim të punës së tij, afro një muaj më parë. Ndërkaq nga hetimi është konstatuar se dy personat që kanë bashkëpunuar në vrasjen e 30-vjeçarit Voga, kanë qenë të parapërgatitur. Madje, ata kanë siguruar edhe një pistoletë me silenciator, për të patur mundësinë të kryenin krimin dhe të largoheshin pa rënë në gjurmë të policisë.

Dëshmitë

Mbeten ende të paidentifikuar autorët e vrasjes së 30-vjeçarit Saimir Voga. Sipas dëshmive të familjarëve të tij të pyetur nga policia, është mësuar se nuk kanë pasur ndonjëherë konflikte serioze apo hasmëri. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat kanë sqaruar se ende nuk është arritur në ndonjë emër konkret të dyshuar. Sipas policisë, pjesëtarë të familjes kuksiane Voga, me banim në Durrës, kanë pohuar se nuk kanë pasur ndonjëherë konflikte të ashpra me njeri, apo hasmëri të trashëguara. Burimet pohojnë se një fakt të tillë, kanë pohuar edhe punonjësit e pub-it, të cilët kanë sqaruar se Voga ishte serioz në punë. Madje, sipas tyre, 30-vjeçari ishte mjaft i rreptë për ata që nuk respektonin rregullat e përcaktuara, por gjithmonë duke evituar sherret dhe skenat e papëlqyeshme. Vetëm në fillim të punës rreth një muaj më parë, mësohet që punonjësi i sigurimit të kishte pasur konflikt për shkak të detyrës me disa të rinj, të cilët kishin provokuar vetë sherrin. Ata kishin qenë klientë në pub dhe, pasi kishin bërë rrëmujë, Voga ishte detyruar t’i nxjerrë jashtë e të debatojë me ta për shkak të detyrës që kryente. Burimet e policisë thonë se Voga nuk kishte pasur konflikt personal me ata të rinj, të cilët ishin të panjohur për të gjithë, por se gjithçka e kishte bërë për detyrën që kryente. Ndërkaq po hetohet në të gjitha pistat e mundshme, pohojnë burimet e policisë. Ato shtojnë se do të verifikohet e gjithë e kaluara e tij, për të gjetur ndonjë konflikt të mundshëm personal.

Ekzekutimi i parapërgatitur

Ka qenë mesnata e së enjtes, rreth orës 24.00, kur dy persona, një prej të cilëve ka nxjerrë një pistoletë me silenciator dhe ka qëlluar mbi Saimir Vogën. Menjëherë ata janë larguar me vrap drejt rrugës së Tiranës së Re, ku i ka pritur një autoveturë me të cilën janë larguar pa lënë gjurmë. Një plumb në trup dhe një në kokë kanë qenë fatal për jetën e 30-vjeçarit Saimir Voga, i cili, ndonëse është shoqëruar menjëherë në spital, nuk ka arritur dot të shpëtojë. Plaga e rëndë që kishte marrë në kokë, ka bërë që të ndërrojë jetë mëngjesin e djeshëm. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat sqaruan se nga informacionet e siguruara është mësuar se, Voga banonte në Qytetin Studenti, ndonëse familja jetonte në Durrës. Sipas policisë, 30-vjeçari Voga kishte afro një muaj që kishte filluar punë aty dhe se kishte pasur vetëm një konflikt në fillim me disa klientë të panjohur. Sipas policisë, gjithçka ka qenë e parapërgatitur nga autorët. Ata kanë ndjekur lëvizjet e Vogës dhe e kanë ditur orarin e punës së tij. Ndërkaq, ata kanë përzgjedhur edhe një pistoletë me silenciator, që të mos dëgjohej nga persona të tjerë. Kjo me qëllim që policia të njoftohej sa më vonë dhe të kishin kohën e mjaftuar për t’u larguar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›