E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti amerikan: Gratë dhe fëmijët, shfrytëzim seksual e punë të detyruar

04/06/2005  Nuk u ndoq penalisht as u dënua asnjë zyrtar për implikim në trafiqe

Raporti i Departamentit të Shtetit, i publikuar dje, e ka renditur sërish Shqipërinë në vendin e vitit të shkuar, me probleme të rënda në fushën e trafikut. Sipas raportit, "Shqipëria është një vend burimi për gratë dhe fëmijët e trafikuar për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar, kryesisht drejt Greqisë dhe Italisë, ku shumë viktima kalohen më tej në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Holandë. Fëmijët shqiptarë, sidomos me prejardhje rome dhe egjiptiane, vazhdojnë të trafikohen jashtë vendit, ku detyrohen të lypin. Ekspertë rajonalë dhe ndërkombëtarë, mendojnë se Shqipëria ka pësuar një rënie të dukshme si vend tranziti për trafiqet drejt Evropës Perëndimore.

Qeveria e Shqipërisë nuk zbaton plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafiqeve, megjithatë ajo po bën përpjekje të dukshme në këtë drejtim. Qeveria mbeti e përkushtuar në monitorimin dhe parandalimin e trafiqeve në portet kryesore të vendit. Megjithatë implementimi i mjeteve antitrafik në Shqipëri mbetet i pamjaftueshëm dhe një arsye goxha shqetësuese. Nevojiten hapa më të mëdhenj dhe aktivë në fushën e mbrojtjes dhe riintegrimit për të garantuar sigurinë e viktimave. Qeveria duhet të zbatojë ligje dhe programe të disponueshëm, përveçse të bëjë përmirësime në parandalimin e trafikut për grupet e prekur. Korrupsioni i lidhur me trafiqet është një tjetër çështje që duhet shqyrtuar.

Ndjekja penale

Në vitin 2004, Qeveria e Shqipërisë vazhdoi të arrestojë, ndjekë penalisht dhe dënojë trafikantët. Gjykatat e saj ndoqën penalisht 132 trafikantë dhe dhanë 121 dënime. Eshtë për t’u përshëndetur, që më shumë se gjysma e dënimeve gjatë periudhës së dhënë, ishin më shumë se pesë vite dhe 30 trafikantë u dënuan me më shumë se dhjetë vite burgim. Në shtator 2004, qeveria miratoi ligje që përfshijnë dispozita për sekuestrimin e aseteve, të cilat i kërkojnë të akuzuarit si trafikantë që të provojë ligjshmërinë e burimit të pasurisë. Megjithatë, prokurorët ende nuk i kanë përdorur tërësisht këto dispozita. Pengesa serioze në burimet si dhe korrupsioni mes qeveritarëve vijoi të dëmtojë përpjekjet antitrafik. Qeveria vazhdoi të hetojë përfshirjen e policisë në trafiqe. Në vitin 2004, katër oficerë policie u hetuan nën akuza që lidheshin me trafikun. Gjatë periudhës në fjalë, qeveria nuk ndoqi penalisht apo dënoi ndonjë zyrtar për bashkëpunim në trafiqe.

Mbrojtja

Qeveria ofroi disa lehtësira dhe personel për të ndihmuar viktimat e trafiqeve si dhe ka vënë në punë Qendrën Kombëtare të Pritjes. Ndërkohë janë edhe dy streha të tjera të OJQ-ve. Qeveria ka nisur punën në një mekanizëm kombëtar që përfshin përforcimin e ligjeve, shërbimet sociale dhe partnerë nga OJQ, për të përmirësuar procedurat e identifikimit fillestar, pritjes, mbrojtjes dhe riintegrimit të viktimave të rikthyera.

Policia i referoi 274 viktima Qendrës Vatra, një prej OJQ-ve kreyesore në Shqipëri, që ofron shërbime strehimi dhe riintegrimi për viktimat. Veç kësaj, një numër drejtorish të policisë hapën strehat e tyre të përkohshme për të akomoduar viktimat e trafikut. Megjithatë mbeten për t’u finalizuar rregullat e nevojshme për implementimin e masave për mbrojtjen e dëshmitarëve, të miratuara në 2003-shin. Në 2004-ën, Qeveria e Shqipërisë nisi një program të mbrojtjes së dëshmitarëve si dhe miratoi dispozita të veçanta të mbrojtjes së dëshmitarëve, të cilat u lejojnë dëshmitarëve në çështjet gjyqësore për trafiqe që të dëshmojnë përmes lidhjeve me video. Programi ka mbetur i pafinancuar.

Qeveria mirëpret e vlerëson raportin amerikan

Qeveria shqiptare mirëpret dhe vlerëson publikimin e Raportit Vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi situatën e trafikimit të qenieve njerëzore, në të cilin njihet dhe vlerësohet angazhimi i fortë i Qeverisë dhe progresi konstant dhe solid drejt eliminimit të trafikimit, duke u pozicionuar për të dytin vit në grupin e parë të vendeve të listës së dytë. "Shqipëria ka ruajtur të njëjtin klasifikim, pavarësisht kritereve më të forta dhe të ashpra të prezantuara nga Departamenti i Shtetit dhe Kongresi Amerikan në vitin 2003, në bazë të të cilave vlerësohen përpjekjet dhe progresi për secilin shtet, si dhe identifikohen shtetet me performancë të dobët brenda listës së dytë – Lista Speciale e Vëzhgimit, për të cilët aplikohet edhe një periudhë e ndërmjetme raportimi. Vende më të përparuara se ne, apo anëtare të BE-së, të tilla si Greqia, Sllovakia etj., janë pikërisht në listën e vëzhgimit, ndërsa vende të tjera si Kroacia, Zvicra, Sllovenia, Finlanda, janë në të njëjtin grup në krye të listës së dytë së bashku me Shqipërinë. Raporti konfirmon mendimin e ekspertëve rajonalë dhe ndërkombëtarë se, Shqipëria, tashmë nuk është më në hartat e vendeve të tranzitimit për trafikun drejt vendeve perëndimore dhe thekson se qeveria ka vazhduar të parandalojë trafikun nëpërmjet skafeve nga brigjet e Adriatikut. Plotësimi i standardeve minimale të përshkruara në Raportin e Departamentit të Shtetit, në fakt, nënkupton eliminimin e plotë të trafikimit të qenieve njerëzore si fenomen si dhe shkaqeve që favorizojnë atë", tha dje ministri i Shtetit, Marko Bello.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›