Vinte nga Durrësi për të punuar në Tiranë, mbytet në liqen teksa lahej
04/06/2005 Vinte prej Durrësit për të punuar në ndërtim në Tiranë, mbytet aksidentalisht në liqenin e Farkës, pasi po lahej me dy shokë të tjerë. Nerion Madhi, 18 vjeç, me origjinë nga Gramshi e banim në Durrës, është gjetur i mbytur pasditen e djeshme nga forcat speciale të policisë dhe polumbarët në liqenin e Farkës në Tiranë. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se 18-vjeçari Madhi, ka qenë duke u larë në liqen së bashku me dy shokë të tjerë. Por duke notuar ai ka humbur kontrollin dhe është fundosur, duke humbur edhe jetën. Burimet thonë se dy bashkëmoshatarët e tij kanë pohuar para hetuesve se, ndonëse janë përpjekur ta ndihmojnë 18-vjeçarin Madhi, ky i fundit ishte në distancë prej tyre. Ata kanë pohuar se pasi kishin mbaruar punën, kishin vendosur të laheshin në liqen, ashtu si kishin bërë edhe herë të tjera. Ndërkaq kanë sqaruar se vinin prej Durrësit dhe punonin në ndërtim në kryeqytet, për të siguruar të ardhurat e nevojshme. Burimet e policisë sqaruan se pas njoftimit të bërë nga shokët e viktimës, në vendngjarje kanë shkuar menjëherë edhe forca speciale të RENEA-s dhe polumbarë. Pas katër orë kërkimesh është bërë e mundur që të gjendet dhe të nxirret trupi i pajetë i të riut. Sipas hetuesve, shkak i mbytjes së 18-vjeçarit mund të ketë qenë pakujdesia apo ndonjë zonë thithëse e liqenit. Kjo, pasi në përgjithësi liqenet e kanë ujin e rëndë dhe kanë tendecën e thithjes, përfundojnë burimet. E.H.