Kryetarja e Gjykatës Supreme të Kanadasë, fillon takimet në Tiranë
04/06/2005 Kryetarja e Gjykatës Supreme të Kanadasë, Beverley Mc Lachlin, ka nisur dje vizitën zyrtare në Shqipëri. Kjo është vizita e parë e këtij rangu në Tiranën zyrtare, pohuan dje për gazetën burime zyrtare të Gjykatës së Lartë. Ato pohuan se, Mc Lachlin ka ardhur në Tiranë në krye të një delegacioni, pas ftesës së homologut të saj shqiptar, Thimio Kondi. Burimet theksuan se kjo vizitë është e para e një autoriteti kaq të lartë kanadez në vendin tonë. Ato shtuan se kjo vizitë paraqet një interes të lartë për gjyqësorin shqiptar dhe marrëdhëniet e tij me gjykatat homologe. Burimet sqarojnë se në takimin mes Kondit dhe Mc Lachlin, është diskutuar gjatë mbi nivelin aktual të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe gjykatave përkatëse. Gjithashtu, mësohet se është evidentuar edhe nevoja e vazhdimësisë së kontakteve dhe bashkëpunimit dypalësh. Burimet pohuan dje se, Kryetarja e Gjykatës Supreme të Kanadasë, Beverley Mc Lachlin, në programin e takimeve të djeshme, ka pasur takime edhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjergj Sauli dhe me Kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi. Ndërsa në ditët në vijim të axhendës dyditore, delegacioni kanadez do të ketë edhe një tjetër takim zyrtar sot në Durrës, me Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu. Dy vite më parë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Shqiptare, Thimio Kondi, zhvilloi një axhendë zyrtare në kryeqytetin kanadez.