E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e pronarit të gipsit, autorët pendohen para gjykatës

04/06/2005  TIRANË – Kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit. Artur Guxha, 35 vjeç dhe Nik Dedndreaj, 27 vjeç, akuzohen se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e shtetasit Vladimir Arizaj. Ngjarja ndodhi në fillim të marsit të këtij viti. Guxha dhe Dedndreaj i kishin një borxh prej 4 milionë lekësh të vjetra viktimës. Për të mos e larë këtë borxh, ata e kërcënojnë. Por gjithçka është bërë brenda pak orësh. Në fillim të marsit, saktësisht në datën 5, të pandehurit takojnë Vladimir Arizajn, i cili ishte me makinë. Nën kërcënimin e thikave që mbanin me vete, ata e detyrojnë të mos u kërkonte më para. Tentativa e viktimës për të shkuar në polici, bëri që Guxha dhe Dedndreaj të përdorin dhunën. Ata e qëllojnë disa herë me thika, deri sa i shkaktojnë vdekjen. Çështja ka ardhur shumë shpejt për gjykim, duke patur parasysh faktin se dosja është e kompletuar dhe nuk ka nevojë për prova shtesë. Të pandehurit kanë pranuar gjithçka. Janë ndjerë të penduar për krimin që kanë bërë. Mëshirë, të pandehurit kërkuan edhe në seancën për dhënien e masës së sigurimit nga gjyqtari Agim Bendo. Ndërsa dje kërkuan që gjyqi ndaj tyre të bëhet me procedurë të shkurtuar. Kërkesa u pranua nga gjykata, e cila në seancën e radhës do të dëgjojë konkluzionet e prokurorit. Në gjyq, para gjyqtarit Kreshnik Omari, mbrohen nga avokatët Maks Ostreni dhe Baftjar Rusi. E pranuan akuzën para gjykatës pa asnjë kundërshtim. Treguan se kur janë nisur për të takuar pronarin e gipsit, Vladimir Arizaj, nuk kanë patur si qëllim vrasjen e tij. Megjithëse me vete kishin marrë edhe thikat, që tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Të pandehurit janë shprehur në gjykatë se viktimës i kishin një borxh të palarë që prej gushtit të vitit 2004. Për ta larguar nga kërkesa e vazhdueshme për kthimin e borxhit, ata e takojnë dhe më pas e kanë kërcënuar. Para gjykatës janë zbërthyer dhe kanë treguar me hollësi gjithçka që kanë bërë me viktimën, që nga momenti i takimit e deri kur e kanë keqtrajtuar me thikë dhe kanë parë që nuk po rezistonte dot. Viktima Vladimir Arizaj, pasi ka marrë kërcënimin e parë nga të pandehurit, është munduar të tërheqë vëmendjen e kalimtarëve, duke u përplasur me makinat e rastit në rrugë, por askush nuk e ka kuptuar. Të pandehurit, që nga momenti i parë që e kanë goditur në këmbë, e detyruan të ndryshojë rrugë për të mos shkuar afër rajonit të policisë. Pas kryerjes së krimit janë munduar të largohen nga vendi i ngjarjes për të fshehur gjurmët. Por policia i ka shtënë në dorë vetëm 24 orë pas kryerjes së veprës penale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›