E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk lejuan prishjen e banesës, thanë se do ta digjnin me benzinë

04/06/2005  Punonjësve të Përmbarimit dhe Policisë Ndërtimore u është dashur të thërrasin forcat e rendit për të ekzekutuar një vendim për prishjen e një banese pa leje në Kamëz. Paraditen e djeshme, Policia Ndërtimore në prani edhe të përfaqësuesve të Zyrës së Përmbarimit, kanë shkuar për të ekzekutuar vendimin e prishjes së një banese në Kamëz, gjysma e së cilës ishte prishur dy muaj më parë. Por, kur kanë shkuar përballë shtëpisë, ata kanë hasur rezistencën e familjes Dilaj, të cilët nuk e kanë lejuar fillimisht një gjë të tillë. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat sqaruan se situata është arritur të administrohet nga blutë. Burimet pohuan se kryefamiljari Faik Dilaj së bashku me të shoqen dhe fëmijët kanë dalë para punonjësve të policisë ndërtimore dhe u kanë thënë se nuk do ta lejonin prishjen e banesës. Madje, ata kanë shtuar se e kishin lyer gjithë shtëpinë me benzinë dhe do t’i vinin flakën, nëse do të tentohej prishja. Të ndodhur në këtë situatë, janë thirrur edhe forcat e rendit, që kanë neutralizuar situatën. Ata kanë shoqëruar në komisariat Faik Dilajn dhe të shoqen, të cilët janë lënë të lirë pas disa orësh. Ndërkaq është kryer edhe ekzekutimi i vendimit për prishjen e ndërtesës, pa sjellë ndonjë pasojë të pakëndshme, përfunduan burimet. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›