Zhdukja e ish-policit, hasmi mohon implikimin
FUSHE-KRUJE – Kanë kaluar 7 ditë nga zhdukja e ish-policit Antoni Prendi në Fushë-Krujë dhe familjarët e tij i kanë humbur shpresat për ta parë sërish të gjallë. Ata dyshojnë se kryefamiljari, baba i tre fëmijëve, është vrarë për hakmarrje. Burime të Policisë bënë të ditur se gjatë këtyre ditëve janë marrë në pyetje disa persona, ndërsa janë duke u verifikuar alibitë e tyre. Mësohet se ndër të shoqëruarit që janë marrë në pyetje janë edhe të afërm të viktimës së vrarë disa vite më parë nga vëllai i 47-vjeçarit Prendi. Familjet në hasmëri banojnë në të njëjtën lagje, por siç konfirmojnë burimet policore, ata nuk kanë pranuar të kenë gisht në zhdukjen e Anton Prendit. Grupi hetimor që po ndjek çështjen ka hartuar në listë me të dyshuar dhe po punon për të vërtetuar nëse alibitë e të dyshuarve janë të vërteta, ndërkohë që këta të fundit, pasi janë pyetur, janë lënë sërish të lirë. Megjithëse po kryhen hetime intensive nga ana e Policisë dhe Prokurorisë, deri tani nuk ka asnjë të dhënë që do të ndihmonte për zbardhjen e ngjarjes. Dyshohet se rrëmbimi i Prendit është kryer përgjatë rrugës që lidh aksin e Laçit me fabrikën e tullave ku punonte 47-vjeçari. Kjo pasi blutë kanë siguruar të dhëna se ai është parë për herë të fundit pikërisht aty. Familjarët e përjashtojnë mundësinë që ish-polici të ketë devijuar destinancion. Personi i fundit që Antoni ka komunikuar ka qenë vajza e madhe e tij, së cilës i kishte thënë se po shkonte për në punë. Antoni nuk mund të ndërronte rrugë apo destinancion, pasi celularin e kishte lënë në shtëpi dhe nuk mund të komunikonte me njeri, u shpreh Xhovalin Medha, kunati i ish-policit të zhdukur.