Atentati në kryeqytet, hetohen pronat
Policia ka ngritur dyshimet se ngjarja e të shtunës, në "Selman Stërmasi", mund të ketë lidhje me një çështje pronash në Dajt
Policia shoqëron disa persona në komisariat, ndërsa hetohet si pistë e dytë edhe një konflikt i asaj dite
TIRANE- Atentati i të shtunës në kryeqytet, pranë stadiumit "Selman Stërmasi", ku mbeti i plagosur një person, dyshohet të ketë ndodhur për motive pronash. Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të policisë së kryeqytetit, sipas të cilëve ngjarja e dy netëve më parë, ku mbeti i plagosur rëndë Arben Bilali, 42 vjeç, banues në lagjen Selitë të kryeqytetit.
Ai u qëllua nga persona ende të panjohur në kohën, kur po pinte një kafe me një mikun e tij në një lokal në kryeqytet në rrugën "Emin Duraku", në krahun verior të stadiumit "Selman Stërmasi", në qendër të kryeqytetit. Ndërkaq gjendja e tij vazhdon të jetë ende e rëndë, për shkak të dy plumbave të marrë nga një armë 9 milimetërshe që i shkaktoi plagë të rënda.
Gjatë mbrëmjes së djeshme oficerët e Policisë kanë shoqëruar rreth 15 persona, të cilët sipas burimeve të policisë mendohet se mund të kenë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Po kështu sipas burimeve të policisë, këta persona mendohet të kenë dijeni edhe mbi ndonjë konflikt të mundshëm të Bilalit me persona të tjerë.
Konflikti i pronave
Si pistë më të mundshme në lidhje me atentatin ndaj Bilalit, policia po heton vrasjen e mbetur në tentativë, për motive pronësie. Shkak për këtë pistë, ku janë drejtuar hetuesit është bërë një konflikt për një pronë në zonën e komunës së Dajtit, që i dëmtuari ka pasur para disa ditësh. Një informacion i tillë ka shtyrë hetuesit të kryejnë verifikime, në këtë drejtim për të gjetur njerëzit e mundshëm të konfliktit dhe ballafaqimin e informacionit dhe marrjen në pyetje te të dyshuarve.
Në lidhje me këtë pistë policia pohoi se bëhet fjalë për një sipërfaqe trualli në komunën e Dajtit. Për të sqaruar më mirë rrethanat e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje pjesëtarë të familjes së Bilalit të cilët mësohet se kanë pohuar këtë fakt si një ndër konfliktet e mundshme.
Këta të fundit, kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni në fakt për konflikte apo për përplasje të ashpra të të afërmit të tyre me persona të tjerë, për motive që nuk lidhen me konfliktin e mundshëm të pronave të Bilalit.
Hetimet e tjera
Veç pistës së hetimit të një ngjarjeje të rrjedhur nga një konflikt i mundshëm pronësie, policia ka nisur verifikimin dhe marrjen e informacioneve në lidhje probleme të tjera që mund të ketë pasur i plagosuri. Në lidhje me këtë shkak, policia ka dyshime se ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për motive banale pas një konflikti që 42- vjeçari Bilali, mund të ketë pasur gjatë të shtunës paradite me një person.
Burimet e policisë pohuan se po punojnë për të identifikuar këtë të fundit, me qëllim marrjen e tij në pyetje në lidhje me përplasjen mes tyre. Një dëshmi që përhetuesit ka qenë me rëndësi është edhe ajo e mikut të Bilalit, i cili ndodhej me të në momentin e ngjarjes ndërsa po pinin një kafe në rrugën "Emin Duraku".
Këtij të fundit, policia nuk i ka bërë të ditur emrin, por sipas tyre, kjo dëshmi, ka pasur rëndësi sa i përket, përshkrimit fizik të autorit të krimit. Sa i përket identifikimit të tij, dëshmitari ka pohuar se nuk e njihte autorin, ndërsa ka dhënë për specialistët e krimeve, detaje të paraqitjes fizike të tij. Pavarësisht kësaj, identifikimi i tij për policinë është ende i vështirë, duke qenë se edhe i plagosuri nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.